7 Nëntor, 2018 - 10:30 am
Arkitektja nga Kosova, Argjira Krasniqi e cila po bën një punë të mahnitshme në vende të ndryshme të botës, e posaçërisht në angazhimin e saj të sapo përfunduar në Afrikë, së shpejti do të vijë me një dokumentar, pikërisht për punën e saj në këtë të fundit, shkruan Ndërtimi.info.
Krasniqi, e cila studimet bachelor i përfundoi në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” për arkitekturë më pas i vazhdoi në Vienë të Austrisë dhe së fundmi në Universitetin e KU Leuven në Belgjikë për studimet master.
Argjira ishte pjesë e shumë projekteve në vende të ndryshme të botës përveç vendlindjes së saj, duke përfshirë shtete të tjera si Shqipëria, Zvicra, Greqia, Holanda e Kenia, ndërsa tani vepron si arkitekte e pavarur në Belgjikë dhe Kosovë.
Përderisa ishte duke qëndruar në Kosovë, gjatë studimeve, ajo themeloi organizatën joprofitabile të quajtur “ECOciety” e cila për fokus kishte mjedisin, përgjegjësinë sociale dhe arkitekturën e qëndrueshme, duke dizajnuar dhe ndërtuar ndryshe, me qëllim të sjelljes së ndryshimeve në qytet dhe në komunitet.
Ajo gjithashtu ishte iniciatore dhe organizatore e festivalit ndërkombëtar ECOWEEK, festival ky i pari i llojit të tij në vendin tonë, e i cili kishte për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin për mjedisin dhe të promovoj parimet e qëndrueshmërisë përmes aktiviteteve të shumta.
Më shumë se 600 pjesëmarrës aktivë, përfshirë profesionist vendorë, ndërkombëtarë e studentë, arritën që t’i dhurojnë qytetit të Prishtinës dhjetëra projekte duke intervenuar në hapësirat publike të qytetit. Festivali u mbajt 3 vite rradhazi (Architecture and Sustainability 2014, Global Architecture 2015 dhe Reflection 2016).
Duke folur për Ndërtimi.info, ajo tregon për një nga projektet që ajo e konsideron si më sfiduesin në punën e saj si arkitekte deri më tani:
Një nga projektet që e konsideroj si më sfiduesin deri më tani, është pjesëmarrja ime vitin e kaluar, në një projekt hulumtues në Keni nga Universiteti Holandez “Delft” në bashkëpunim me Rural Housing Studio, qëllimi i të cilit ishte që arkitektët të punojnë së bashku me komunitetin në dizajnimin dhe ndërtimin e shtëpive të qëndrueshme me kosto të lirë për familjet jo të privilegjuara në Afrikën rurale”, thotë Krasniqi.
Ndër katër projekte të zhvilluara në atë kohë nga arkitektë nga Holanda, Greqia, Kenia dhe Kosova, shtëpia e dizajnuar nga Argjira Krasniqi dhe e ndërtuar së bashku me një numër të konsiderueshëm të pjesëmarrësve të komunitetit është përzgjedhur si projekti më i suksesshëm në kuadër të kostos, përdorimit të materialeve lokale, pjesëmarrjes së banorëve dhe kombinimit të shkëlqyeshëm të arkitekturës vernakulare me njohuri të reja.
Për dokumentarin ajo thotë se shpreson shumë që atë ta sjellë edhe në Kosovë:
“Dokumentari rreth këtij projekti gjatë punës dhe qëndrimit tonë në Keni që po punohet nga një ekip nga Greqia, është në përfundim dhe brenda këtij muaji do të shfaqet në Belgjikë. Unë shpresoj që së shpejti do të kem mundësi që dokumentarin ta sjellë edhe në Kosovë për të ndarë përvojën time edhe me kolegët dhe qytetarët e Kosovës”, shprehet Krasniqi.
Krasniqi për momentin është duke bashkëpunuar me disa arkitektë nga Belgjika për disa projekte në Gent, Bruksel dhe Ronse. Kurse në Kosovë është duke punuar në një projekt në qytetin e Gjakovës së bashku me një arkitekt kosovar.