Shfaqet dokumentari me histori personale të familjes shqiptare dhe izrealite

24 Janar, 2018 - 12:05 pm

Gili Hoxhaj

Në prag të Ditës Ndërkombëtare të Holokaustit më 27 janar, sot në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë u shfaq dokumentari “Trashëgimtarët e një historie shpëtimi” i cili tregon se si familja Rezniqi ka kontribuar në shpëtimin e një familje izraelite, shkruan KultPlus.

Derisa në Ditën Ndërkombëtare të Holokastit në mbarë botën kujtohet e kaluara, vuajtjet dhe mizoritë në të cilat kanë kaluar populli hebre.

“Kjo ditë ka një dimension tjetër edhe për shqiptarët, është dita kur ne ndihemi krenar për veprën më njerëzore që njeh historia ngaqë kombi ynë ka ndihmuar ata që të përndiqeshin nga nazistët”, kështu u tha sot para shfaqjes së dokumentarit.

Lekë Rezniqi përfaqësues i familjes Rezniqi tregoi se hulumtime të shumta kanë treguar se numri më i madh i hebrenjve ka kaluar nëpër Kosovë, nëpër shtëpitë e shumë familjeve shqiptare, siç janë familja Rezniqi, familja Behluli, familja e Halim Spahiut, Hasan Mulla Shabanit, Ramadan Nuzës, Mon Belegut, familja Aliçkaj e shumë të tjera. Ky dokumentar vjen pikërisht për të nxjerrë në pah këto marrëdhënie, të cilat përballën me mungesë të fakteve.

“Siç e do tradita shqiptare kur një mik gjendet në vështirësi dhe ndihmohet, atij zakonisht nuk i kërkohet që në letër të shkruhet se kush ia shpëtoi jetën, e lerë më t’i kërkohet kompensim material. Sot historia pas më shumë se 70 vitesh i kërkon këto fakte e ne po mundohemi t’ua ofrojmë ato”, u shpreh Rezniqi para fillimit të dokumentarit.

Dy familje, njëra shqiptare e tjetra izraelite kanë trashëguar marrëdhëniet e të paraardhësve të tyre. Përmes kujtimeve personale, vizitave e miqësisë, ata edhe vazhdojnë ta kultivojnë këtë miqësi. E kaluara e tyre sot erdhi përmes një dokumentari autori i të cilit ishte Lekë Rezniqi, e producent Dardan Selimaj. Ky dokumentar u dedikohet të gjitha familjeve që kanë ndihmuar hebrenjtë, kontributi i të cilave ende nuk është njohur.

Lekë Rezniqi (stërnipi i Arsllan Mustafa Rezniqi dhe Rachel-Shelly Levi Drammer (mbesa e Dr. Haim Abravanel) takohen në Manastir, në vendbanimin e fundit ku kanë jetuar familja e doktorit Haim Abravanel. Derisa familja Rezniqi kishte strehuar familjet hebrenje në shtëpinë e tyre në Deçan, ata ishin bërë edhe një urë për ta sjellë doktorin Haim Abravanelin nga Shkupi në Kosovë për t’i ndihmuar banorët në tejkalimin e epidemisë tifoide. Për ta shpëtuar doktorin izraelit nga forcat naziste gjermane, familja Rezniqi ishte bërë strehë e tij dhe e kishte shpëtuar atë duke e veshur me veshje myslimane.

Rezniqi dhe Shelly ishin rritur me kujtimet e të bëmat e familjeve të njëri-tjetrit. Ata të ulur shumë pranë njëri-tjetrit sot kujtojnë disa momentet më të rëndësishme të familjeve të tyre deri në largimin e familjes izraelite nga Shqipëria. Mes kujtimeve të tyre personale mësohet se prindërit e Rachel-Shelly-it humbën jetën në tërmetin që goditi Shkupin në vitin 1963, në këtë rast familja e Arsllan Rezniqit shkojnë në Shkup për të ndarë dhimbjen me familjen e doktorit Haim, e për t’u mos u takuar me vite të tëra. Derisa në kohë lufte në Kosovë, Rachel-Shelly përpiqet në çdo mënyrë që të gjetur familjen Rezniqi dhe për ta strehuar atë në Izreal. Ajo përmes këtij dokumentari tregon për lidhjen e ngushtë që ndjejnë me familjen kosovare Rezniqi, sipas saj kjo marrëdhënie është përtej miqësore, është si një marrëdhënie familjare.

Lekë Rezniqi tha gjatë këtij takimi se kombi shqiptar është i vetmi në botë i cili ka mundësuar shpëtimin e popullit hebre.

“Kombi shqiptar është i vetmi në botë i cili në mënyrë të organizuar ka mundësuar dhe siguruar shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit dhe për këtë humanizëm të dimensioneve botërore, bota di shumë pak. Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që nuk e ka njohur antisemitizmin dhe është vendi i vetëm në botë që pas Luftës së Dytë Botërore ka pasur numrin më të madh të hebrenjve se sa para luftës”, tha sot Rezniqi. Familja Rezniqi, është dekoruar me mirënjohjen “Fisnik mes kombeve”, në vitin 2008, nga Yad Vashem, ambasadori i Izraelit. /KultPlus.com

Të ngjajshme