Shfaqet filmi dokumentar “N’Agim” nga Malborë Krajku

11 Mars, 2019 - 2:00 pm

Shoqëria kulturore-artistike ‘’Agimi’’ është ndër institucionet më të rëndësishme shoqërore të shekullit të fundit, i cili mbrojti dhe përfaqësoi dinjitetshëm kulturën tonë, si në planin krijues ashtu në atë riprodukues – me këngët korale dhe vallet tona popullore. Me formimin e SH.K.A ‘’Agimi’’, filloi jeta e organizuar dhe e institucionalizuar e spektrit kulturor dhe artistik përbrenda vullnetit amator të shqiptarëve të Prizrenit.

Ky dokumentar i punuar nga Malborë Krajku, paraqet videot dhe fotografitë nga arkiva e një periudhe të ndritshme kulturore të Prizrenit. Gjithashtu sjellë tregimet personale të disa nga ish-anëtarët e shoqërisë “Agimi”, të cilët do të na tregojnë më shumë rreth kujtesës nostalgjike të përbashkët dhe rrugëtimit të këtij komuniteti.

Shfaqja e filmit dokumentar “N’Agim” bëhet me 13 Mars (e mërkurë) te ”Kino Armata” në Prishtinë në orën 20:00. Së bashku me dokumentarin “N’Agim” do të shfaqet dhe filmi dokumentar “Herd” i regjisorit Baris Karamuco, i cili flet për pjesët e jetës së përditshme të fermerëve që jetojnë me kopetë e deleve në malet e Sharrit. Premierat e të dy këtyre dokumentarëve u shfaqën në dhjetorin e vitit të kaluar në DokuKino në Prizren, ku pas një interesimi të madh të audiencës po rishfaqen në Prishtinë

Ky projekt është bërë i mundshëm nga Heritage Space e cila është platformë e nisur nga CHwB Kosova që i krijon hapësirë individëve kreativ të përdorin trashëgiminë kulturore si burim frymëzimi për krijimin e punëve të reja, përmes përdorimit të mediumeve të ndryshme, për zhvillim ekonomik, social dhe kulturor në Kosovë. Kjo platformë krijon lidhje të reja në mes të krijuesve dhe shoqërisë me trashëgiminë. / KultPlus.com

Të ngjajshme