21 Qershor, 2018 - 2:30 pm
Teknologjia dhe arti u takuan në shfaqjen premierë të filmit të shkurtër ‘Një Histori nga Cirku’ në sallën e kinema Cineplexx në Tiranë.
Për herë të parë shikuesit mund të ndiqnin një film përmes pajisjeve të realitetit virtual në vend të një ekrani të madh nga regjisori i ri Jonid Jorgji i cili prodhoi filmin e parë VR në Shqipëri.
“Jam e kënaqur që ishim në gjendje të mbështetnim një projekt kaq inovativ me një qasje ndryshe në prodhimin e filmit”, tha Debora Kern, përfaqësuese e Ambasadës së Zvicrës.
“Jo vetëm që ky film është një mënyrë e re e tregimit të historive por ai gjithashtu prek çështje sociale siç është integrimi i personave me aftësi të kufizuara”, shtoi ajo.
“Megjithëse modeste, mbështetja jonë i shkoi një ekipi të rinjsh të cilët ende përpiqen të jetojnë përmes artit të tyre. Shpresojmë që me realizimin e këtij filmi, prodhuesit e rinj të inkurajohen për të mësuar dhe për të gjetur më shumë kanale për financimin e ideve të tyre”, tha Dritan Mezini, drejtor ekzekutiv i Fondit Kulturor Zviceran.
Të pranishëm në aktivitet ishin edhe përfaqësues nga sektori i filmit në Shqipëri përfshirë edhe drejtorin e Qendrës Kombëtare të Filmit, Ilir Butka.
Gjatë 15 minutave të filmit shikuesit përjetuan një udhëtim virtual nëpër ngjarjet e ndryshme që ndodhin brenda një çadre cirku.
Teknologjia VR lejon shikuesit që të rrotullojnë këndin e vështrimit dhe të shohin çfarë po ndodh në 360 gradë. Kjo do të thotë se tregimi i historisë ndryshon nga filmat tradicionalë, kamerat kapin gjithçka ndodh përreth.
Kjo përvojë e të parit mundësohet përmes kombinimit të kamerave speciale që përdoren në krijimin e filmit si dhe pajisjeve individuale VR (realitet virtual) të cilat shikuesit i veshin gjatë shfaqjes.
Fondi Kulturor Zviceran është një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) i cili synon të mbështesë artistë të rinj përmes programeve të bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të kapaciteteve.
Projekti zbatohet nga Centre for Business Technology and Leadership (CBTL)./ ata