26 Shtator, 2022 - 9:20 pm
Pasditja e sotme në “Tirana International Film Festival” nisi me një film të kategorisë PerspecTIFF, “Brothers” nga regjisori kazak, Darkhan Tulegenov.
Më pas në Kinema Millennium u shfaqën 12 filma të shkurtër, të animuar, fituesi i të cilëve, do të kualifikohet për konkurim në Oscars dhe European Film Awards.
Pas filmave të animuar të cilët u shfaqën paraditen e ditës së tretë të festivalit, në Liceun Artistik “Jordan Misja”, rreth orës 17, nisi programi i filmave të kategorisë “PARADE”, mbi çështje të komunitetit LGBTQ. Nga ky seksion i festivalit u projektuan 4 filma fiksion dhe një dokumentar, të gjithë të metrazhit të shkurtër.
Filmi që tërhoqi më shumë vëmendjen, në ditën e tretë të TIFF, ishte “Winter Fireflies”, i aktorit dhe regjisorit Artur Gorishti. Filmi i metrazhit të gjatë, prej 149 minutash, dhe prodhim i këtij viti, sjell aktorë si Birçe Hasko, Luli Bitri, vetë regjisorin Gorishti, si dhe Arben e Florist Bajgora. Pjesa më e madhe e kastit, ishin të pranishëm në sallën e Kinema Millennium, ku falënderuan bashkëpunëtorët dhe bashkëbiseduan me spektatorët.
Filmi rrëfen historinë e një plaku i cili sjell ngjarje nga e kaluara për të pastruar ndërgjegjen e tij, duke i kërkuar falje vetes dhe njerëzve që ka lënduar. Për “Winter Fireflies” (Xixellonjat e dimrit) kjo ishte premiera botërore.
Përveç regjisë e aktrimit, Artur Gorishti vjen edhe si skenarist i filmit, ndërsa muzika është shkruar nga Fatrin Krajka./atsh/ KultPlus.com