1 Shtator, 2020 - 12:59 pm
Shoqata e Producentëve të Kosovës ‘PREK’, ka kërkuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës që ti lirojnë nga pagesa e aplikimit për konkursin e vitit 2020 si dhe shtyrjen e datës së aplikimit, shkruan KultPlus.
Nëpërmjet një komunikate për shtyp PREK ka njoftuar se pavarësisht kërkesës së tyre drejtuar Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit që të gjejnë një zgjidhje për pagesën e aplikimit për konkurs, kjo e fundit ju është përgjigjur se pagesa është e përcaktuar në rregullore dhe se nuk mund të hiqet.
Ata kanë shtuar se duke marrë parasysh gjendjen e jashtëzakonshme në të cilën gjendemi atëherë është e mundur të gjendet një rrugë ligjore për të liruar ose subvencionuar producentët nga kjo shumë, kur dihet se në këtë periudhe janë pezulluar të gjitha aktivitetet dhe është rrezikuar edhe vet ekzistenca e shumë produksioneve filmike në vend.
“Jemi koshient që 100 euro për aplikim për fituesit eventual në konkurs nuk është ndoshta një shumë e papërballueshme, por në anën tjetër një kujdes minimal për këtë industri në të cilën po thirret shteti kur po korren suksese ndërkombëtare, është përveҫse i drejt moralisht edhe i nevojshëm duke marr parasysh se gjithë punëtorët filmik nuk janë punëtorë që marrin rroga shtetërore, por janë punëtorë që varen nga tregu, i cili tanimë është inekzistent”, thuhet mes të tjerash në komunikatë.
Sipas tyre Shoqata e Producentëve të Kosovës ka qenë çdo herë bashkëpunues më Ministrinë e Kulturës dhe ministrat e saj, prandaj dhe në takimet e tyre ata kanë vazhduar dhe do të vazhdojnë ti kenë çdo herë të njëjtat kërkesa.
1. Të subvencionohemi për pagesë, për konkursin e hapur të QKK-së, i cili mbyllet me 31.08.2020, për të gjitha kategoritë;
2. Të përshpejtohen pagesat dhe të shlyhen borxhet e të gjitha projekteve që kanë mbetur pa u paguar qysh prej fillimit të vitit 2019;
3. Të rritet buxheti i QKK-së! Ish Ministri Gashi ka deklaruar publikisht që është dyfishuar buxheti i QKK-së, por kjo në praktikë nuk ka ndodhë asnjëherë, andaj presim nga Vlora Dumoshi që t’a rrisë këtë buxhet dhe të ndihmojë në zhvillim të mirëfilltë të Kinematografisë;
4. Të bëhet plotësim ndryshimi i rregullores aktuale për subvencionim të projekteve. Rregullorja dhe kriteret në rregullore, e cila është hartuar në vitin 2016 kufizon tej mase zhvillimin e shtëpive filmike. Mund të ketë pasur logjikë në atë periudhë, por tani me ndryshimet dhe ecurinë e punës së shtëpive filmike duhet të mbështetet zhvillimi dhe fuqizimi i tyre dhe filmbërësve në përgjithësi e jo të pengohet ajo.
Krejt në fund ata kanë shtuar se këto kërkesa janë minimale, krahasuar me punën e tyre në promovimin dhe prezantimin e Kosovës jashtë kufijve./ KultPlus.com