Shpalosen detaje tjera nga edicioni i radhës i DOKUFEST

27 Korrik, 2018 - 2:19 pm

Sot në Prishtinë u mbajt konferenca e përvitshme për media e festivalit DOKUFEST, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 17 të festivalit, i cili do të mbahet nga data 03-11 gusht 2018 në Prizren, Kosovë.

Në këtë edicion do të shfaqen mbi 260 filma në kategori të ndryshme, nëpërmjet programeve garuese dhe atyre speciale.

Përveç programit, organizatorët e festivalit: Nita Deda (drejtoreshë), Veton Nurkollari (drejtor artistik), Eroll Bilibani (drejtor ekzekutiv) dhe Samir Karahoda (programer i filmave nacional dhe te shkurtë) prezantuan më gjerësisht edhe temën e sivjetme, që është “Reflektimi”.

Frymëzuar nga kënga e Velvet Underground “I’ll Be Your Mirror”, programi i DokuFest synon të shndërrohet në pasqyrë të botës ku jetojmë, si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi.

Kjo temë do të hulumtohet përmes kampanjës së festivalit si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave digjitale, bisedave me artistë, punëtorive dhe performancave muzikore.
Ky edicion i DokuFest shënohet edhe me një laramani të gjerë të paneleve, të cilat do të eksplorojnë në thellësi temën e reflektimit. Përmes tyre, do të reflektohet mbi të kaluarën e Kosovës dhe rajonit, por edhe mbi të ardhmen e filmit në Kosovë me anë të industri-eventeve të Kosovës Kreative.

Gjithashtu, ky edicion ka kuruar një program shumë special për DokuKids, me filma dhe punëtori, klasa vallëzimi dhe lojëra.

As programi muzikor nuk do të mungojë sivjet, me një listë të gjerë artistësh dhe performancave speciale.

Në tri skena të ndryshme – Andrra, Kalaja dhe Lumbardhi – DokuNights vjen i guximshëm dhe mbulon një selektim të kujdesshëm të artistëve vendorë dhe ndërkombëtarë, nga ansambli Saz’Iso, këngëtarët legjendarë dhe interpretuesit virtuozë të Sazeve shqiptare – deri te reperi, artisti, poeti dhe aktivisti Mykki Blanco nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. / KultPlus.com

Të ngjajshme