Shpresa Bërdëllima ose Brigitte Bardot shqiptare

28 Tetor, 2019 - 6:00 pm

Ditën e djeshme, më 27 Tetor 2019, është ndarë nga jeta në moshën 60-vjeçare, aktorja e njohur Shpresa Bërdëllima.

Bërdëllima Lindi në Tiranë, më 11 Prill 1959. U angazhua në teatrin e estradës së Tiranës dhe në kinematografi, duke filluar me rolin e zonjushës Gajtani te “Vajzat me kordele të kuqe” ne vitin 1978 nga Gezim Erebara ku ka interpretuar me sukses disa role si tek filmi “Pertej mureve te gurta” (1979), “Era e ngrohte e thellesive” (1982), “Te shoh ne sy” (1985), “Kur ndahesh nga shoket” (1986), “Kur hapen dyert e jetes” (1986), “Nje vit i gjate” (1987), “Hetimi Vazhdon” (1987), “Shpresa” (1988), “Flutura ne gabinen time” (1988) dhe “Mirela” (1990).

Shpresa Bërdëllima ishte padyshim, një nga emrat e aktoreve tona më të vlerësuara të teatrit dhe kinemasë.

Ndonëse me një karrierë të shkurtër, me anë të roleve të saj, ka “rezervuar” një vend të rëndësishëm në kujtesën e ndjekësve të saj. Me një portret dhe paraqitje plot finesë, siç thuhej, për t’u pasur zili edhe nga aktorët e kinemasë botërore, Bërdëllima do të mbetet një “Brigitte Bardot”, e përjetshme e ekranit shqiptar.

Krahasimi i është bërë nga vetë aktori i madh francez Michel Piçoli, teksa xhironte “Përtej mureve të gurta”, ku edhe luante rolin e Asimesë.

Duke pasur një karrierë të suksesshme ndër vite, aktorja e nderuar është vlerësuar si nga kritika ashtu edhe nga publiku i gjerë shqiptar, e të cilit, ajo ka ditur t’ia fitojë zemrën, jo vetëm nga aftësia aktoriale, por edhe nga natyra e saj spontane dhe me një elegancë të pashoqe.

Si shumë artsistë të tjerë, në vitin 1991, ajo zgjodhi emigrimin dhe u largua drejt Belgjikës, ku edhe ndërroi jetë nga një sëmundje e rëndë, për të mos u kthyer më në skenën dhe ekranin shqiptar, pavarësisht pranisë së saj të herëpashershme në Tiranë.

Roli i saj i fundit ka qenë në teatër: “Kush e vrau Kastijin”, me regji të Gëzim Kames.

Në një intervistë për Panoramën aktorja, teksa fliste për përzgjedhjen e roleve thoshte dikur: “Kam qenë gjimnaziste te ‘Petro Nini’, kur erdhi Ilia Terpini për të kërkuar personazhe për filmin ‘Guna përmbi tela’. Isha vetëm 16 vjeçe, kur u përzgjodha për këtë rol, megjithëse edhe më parë, qysh fëmijë, recitimi kishte qenë një nga gjërat e mia më të pëlqyera. Isha marrë vazhdimisht me aktivitete artistike në shkollë edhe për shkak të zërit, që siç më thoshin e kisha shumë të mirë.

Pas filmit të parë, Gëzim Erebara më propozoi të bëja rolin e spiunes, në filmin ‘Vajza me kordele të kuqe’. Ka qenë aq mirë i realizuar ky rol, sa edhe në rrugë, pas transmetimit të filmit, fëmijët më qëllonin me gurë, sepse kujtonin se isha vërtet spiune”, – kështu do të kujtonte aktorja, vite më parë, në një intervistë për gazetën “Panorama”./konica.la/ KultPlus.com

Të ngjajshme