26 Korrik, 2019 - 4:30 pm
Sot në Tiranë u mbajt konferenca e përvitshme për media e festivalit DokuFest XVIII, me ç’rast u prezantua programi i plotë i edicionit të 18 të festivalit, i cili do të mbahet nga data 02-10 gusht 2019 në Prizren, Kosovë.
Zëvendës Ministrja e Kulturës e Shqipërisë Valbona Shujaku tha se përgjatë zhvillimit të tij, DokuFest ka arritur të ndërtojë një ngjarje kulturore të rëndësishme për botën e artit.
“DokuFest është ngjarje e rëndësishme e cila ka nisur si iniciativë e vogël ndërsa tashmë është shndërruar në një rrugëtim kulturor të rëndësishëm si dhe një vend-takim artistik mbarëbotëror” tha Shujaku.
Ndërkaq, drejtuesit e festivalit: Nita Deda (drejtoreshë e festivalit), Veton Nurkollari (drejtor artistik) dhe Samir Karahoda (programer i filmave shkurtë) shpalosën më gjerësisht temën dhe programin e sivjetmë.
Mbi 280 filma dokumentar të mrekullueshëm si dhe një përzgjedhje e veçantë e filmave të shkurtë dhe të kinemasë eksperimentale që vijnë nga 40 shtete të ndryshme do të jenë pjesë e programeve garuese dhe atyre speciale, si dhe do të ketë punëtori, program të muzikës, panele dhe masterklasa të ndryshme.
Në mbrëmje, DokuFest do të shfaqë disa filma të përzgjedhur tek Tirana Open Air, përcjellë nga një diskutim jo-formal me platformën Harabel Contemporary Art Platform duke filluar prej orës 21.00.
Hyrja është falas.