10 Mars, 2024 - 8:45 pm
Para dyzet e ca vitesh, në Bizë të Martaneshit u realizuan xhirimet e filmit artistik shqiptar “Në pyjet me borë ka jetë”, ku aktorët kryesorë të saj, Rikard dhe Marjeta Ljarja. Kështu tregon për “Albanian Free Press”, në rrëfimin e tij të radhës për këtë zonë të vendit, ish-ushtaraku i lartë, Ilirian Ballaj, i cili ka bashkëpunuar atëherë me trupën artistike të filmit në fjalë dhe që sipas tij, dy aktorët në fjalë, u dashuruan përgjatë këtyre xhirimeve. “Rikardit i kishin hyrë ethet e dashurisë për Marjetën, fakt që na e shprehu edhe neve, se ajo ishte vajzë e mirë, një natyrë e pastër. Ne që ne i thamë: “Merre, ç’pret, ku gjen gocë si ajo”. Dhe ai që e mori, jo sepse i thamë ne, apo edhe mbase, por sepse ia tha zemra”, pohon Ballaj. Për të dhënë më tej edhe mendimin e tij lidhur me filmin artistik shqiptar të asaj periudhe. “Të gjithë aktorët e kanë kuptuar se ideologjizimi ka qenë në veprën e tyre si një mish i huaj, si një kulpër parazit veshur pemës për trungu, por ç’t’i bëje? Sidoqoftë, të gjithë filmat tanë që janë xhiruar para 30-40 vitesh, kanë vlera dhe vlera e parë janë aktorët tanë të mëdhenj, pastaj edhe tematikat e larmishme që kanë patur”, – vlerëson ai…
Në Bizë, 40 vjet më parë, u xhirua një film artistik i njohur shqiptar, “Në pyjet me borë ka jetë”. A ke qenë aty dhe si është realizuar ai?
Po. Në dimrin e vitit 1978, në Bizë të Martaneshit, u xhirua filmi artistik “Në pyjet me borë ka jetë”, me skenar të shkrimtarit Zija Çela dhe regji të Rikard Ljarjes. Filmi kishte një subjekt të zakonshëm, jetësor. Një inxhinier, Luka, me shumë hezitim shkon të jetojë dhe të punojë në një zonë malore, i shoqëruar nga gruaja e tij shumë optimiste për atë ndërmarrje që po bënin. Ata ndalojnë në një stacion malor me borë dhe aty shtjellohet gjithë fabula e filmit. Filmi kishte një sfond dimëror, malor dhe të ngarkuar nga bora. Dhe vendi më i përshtatshëm ishte menduar Biza e Martaneshit, sikurse ishte bërë edhe me të tjerë filma më parë, në zona të tjera malore si në Dardhë të Korçës, në Theth, në Qafë Shtamë, etj.
Rikard Ljarja ishte për herë të parë regjisor e në të njëjtën kohë edhe aktor i filmit. Trupa e xhirimit ishte e vendosur në hotelin e turizmit në qytezën e Bizës, që në ditët e para të janarit. Borë kishte rënë shumë dhe Biza ishte zbardhur e zbukuruar si një nuse e re. Mbuloja kulturën dhe propogandën në Shkollën Ushtarake të Kuadrove Rezervistë në Tiranë e duke qenë se isha i asaj fushe, komanda më kishte porositur që të tregoja vëmendje e të kisha kontakte me trupën e xhirimit të filmit dhe të isha si një ndërlidhës për ndonjë nevojë apo shqetësim të tyre. Ne kishim më shumë përvojë me dimrin, por edhe më shumë mundësi mbështetje, apo mbase edhe nga lart ishte vënë ndonjë detyrë që t’u ndodheshim pranë. Dhe unë këtë u mundova ta bëja me shumë kujdes, me shumë merak, sikurse kërkojnë të jenë marrëdhëniet me njerëzit e artit, siç ishin artistët, që ndjejnë shumë e preken shpejt. Por edhe komanda u tregua tejshmërisht e gatshme dhe shumë korrekte me ndihmën që dha.
Së pari, u njoha me ta, ua thashë edhe për ç’më kishin vënë detyrë. Më mirëpritën, më dhanë edhe skenarin e filmit kur mësuan se unë isha edhe mësues letërsie, jo për ndonjë oponencë, por për kënaqësi dhe për të më afruar. “Shikoje njëherë, – më tha Rikard Ljarja, – edhe të njihesh, por edhe të na ndihmosh”. Une e mora dhe qesha. Dhe Rikardi shtoi: “Borën e njihni ju?”. “E njeh Zija Çella, -i thashë,- që ka lindur tek bora”. Dhe pasi e lexova, pashë me vëmendje skenarin, planet, dublat, truket. Aty mësova edhe sekretin e planeve të xhirimeve që ishin parashikuar, njoha subjektin e filmit, aktorët e rolet dhe pashë se truket ishin gjëja më e keqe, të cilat spektatori nuk duhej t’i dijë, sepse kur rrëzohej njëri hidhej manekini, kur binte borë lëshohej pambuk apo polisterol i grirë, kur shqyhej një trup ishte një pikturë, kur ecte makina ajo rrinte në vend dhe njerëzit e lëkundnin, ndërsa kinooperatori kalonte shpejt në xhirim sistemin e kodrave, e plot mashtrime të tjera. Por më bajati ishin planet e xhirimit pa zërin e aktorit, zë i cili inçizohej në laboratorë, në studio dhe të gjitha zhurmat e tjera imitoheshin. Vonë, në bisedën që bëra me Rikardin, me të cilin u miqësova shumë e që natyrisht edhe ai e mban mend, i sugjerova me modesti se titulli ka një EDHE para: “EDHE në pyjet me borë ka jetë”. “Po kush e vë në diskutim këtë, – i thashë, – është fakt që në pyll ka jetë, ka faunë, ka florë, ka ujë, ka edhe njerëz. Mund të thuash fjala vjen se edhe në Hënë paska jetë, kur e kanë ditur se s’ka, ndërsa ne e dimë që në pyje ka jetë”. Ai më pa mirë dhe tha: “ Pa dale, dale. Ore e ke shumë mirë, por do ta bisedoj me Zijain”. Dhe me kaq u mbyll biseda e kur doli filmi, nuk e kishte titullin “Edhe në pyjet me borë ka jetë”, por thjesht “Në pyjet me borë ka jetë”. Kjo më ngazëlleu. Në një rast dërguam ushtarët në Shëngjergj të Tiranës dhe morëm rekuizitën që kishte ardhur nga Tirana. Njëri prej ushtarakëve tanë, Xhevat Koçia, u fut në rol, u bë malësori Gjici që i vinte syrin motit e që tërhoqi slitën në të cilën ishte ulur “gruaja” e inxhinierit në rol, Gulielm Radoja, Liliana Kondakçi, të cilën do ta merrte helikopteri drejt Tiranës për të lindur. Hapnim rrugën në borë për të shkuar trupa tek pjesa më e vështirë e terrenit për xhirim. Shtatë herë e ka ngjitur në krahë të “plagosurin nga drurët” i paharruari Tonin Ujka, derisa i ra të fikët dhe e përmendëm duke i fërkuar fytyrën me borë. Në një rast tjetër “kërkonim” një sharrtar të mbetur natën jashtë në pyll dhe e gdhimë me xhirime e prapësime. U montua një “sondë shpimi” për mineral dhe ne atje me kursantët. Por edhe pasditeve ishim bashkë tek klubi, por edhe në dhomat tona të ushtarakëve ku kishte zjarr dhe telefon. Ata tërë pasditen e kalonin në telefon me eprorët dhe me familjarët.
Cilat ishin aktoret e filmit dhe raporti i Rikardit atëherë me Marjetën?
Aktore ishin dy. Ishte Marjeta (Ljarja) nga Pogradeci dhe një vajzë tjetër tiranase, goca e një shokut tim në kontrollin ekonomik të ushtrisë dhe bashkëfshatar I imi, Hysen Askushi, Luljeta, e cila u gëzua shumë kur mori vesh se ishim jo vetëm bashkëfshatarë, por edhe kushërinj të afërt. Rikardit i kishin hyrë ethet e dashurisë për Marjetën, fakt që na e shprehu edhe neve, se ajo ishte vajzë e mirë, një natyrë e pastër. Ne që i thamë: “Merre, ç’pret, ku gjen gocë si ajo”. Dhe ai që e mori jo sepse i thamë ne, apo edhe mbase, por sepse ia tha zemra. Kur e kam takuar Rikardin në vitin 2014 në pushime në Radhimë, pasi iu afrova me kujdes që të mos e bezdisja, i thashë “unë di shumë gjëra për ty” dhe ai u vërejt. Por kur i thashë “jam ai oficeri i kulturës i Bizës kur ti s’dije ç’të bëje me Marjetën”, u ngrit në këmbë, më pushtoi dhe më thirri buzë ujit duke thënë si dikur:”Pa hë? Unë të të kisha kërkuar ty”.
Kështu që atje në Bizën epikë, historike, turistike, lirike, me lodhje, me mundime, me idile mes artistësh, u xhirua filmi, u stërvitëm ne, por lidhëm edhe një miqësi të mirë me tërë ata njerëz e që e mbajtëm deri vonë. Më të mirët ishin dy të paharruarit Ndrekë-t, Prela dhe Shkjezi. Prela kishte gojën, tregonte bukur, të mbërthente, përshkruante bukur mjedisin e asaj që ndodhte, kishte një fantazi të madhe dhe të ndizte imagjinatën, Shkjezi kishte mimikën, lëvizte me këmbë e me duar, mimika e tij ishte një minierë, të hipnotizonte kur tregonte. Më pas tyre nuk qëndronte as Bep Shiroka. Në shoqëri ishte tamam ai polici tek filmi “Koncert në vitin 1936”, po ato improvizime kishte, fliste me gjuhën e trupit. Shpesh përsëriste batutën: “Të godas”, batutë filmi edhe kjo.
Ndonjë episode tjetër interesant mes tyre, a mund të na tregoni?
Filmi, pjesën dominuese të subjektit, e kishte në një sfond bore, mes malesh, pemësh, punëtorësh, sondash, ata dilnin në ballkon kur binte borë e shpeshtë, zbrisnin në fushë e loznin me të kur pushonte, por kur vinte koha e punës të gjithë ishin të robëruar pas saj. Regjisori Ljarja thoshte se në Bizë kishin xhiruar rreth 80% të planeve, direkt në borë, natën dhe ditën, pa më të voglin truk bore (hile). Kur u mblodhën me kursantët një darkë në kinemanë e qytezës për një bisedë për artin e që në të erdhën të gjithë aktorët, një shoku im Kostaq Pashko, një korçar, duke e ditur që Rikardi e kishte diçka në zemër për Marjetën, iu drejtua Ndrek Prelës dhe i tha “ti gjysh, (se rolin e gjyshit kishte në film), duhet t’i martosh nipat”. Dhe Ndreka tha fort: “Pooo, atë po bëj”. Rikardi qeshi, kurse Marjeta uli kokën dhe u skuq.
Para disa kohësh, është zhvilluar një debat publik lidhur me vlerat e vërteta të filmave që janë xhiruar gjatë kohës së komunizmit? Ju vetë, ç’mendim keni rreth tyre?
Njerëzit e artit janë kultura e kombit, vetë arti është pasqyrim i jetës me mjete të bukura. E kushdo që e shpreh, e nxit, e bën, e zhvillon të bukurën, është vetë e bukura e njerëzimit, është vetë mirësia e tij. Filmat tanë artistikë, pavarësisht se kur janë bërë, pavarësisht se kanë pasur brenda vetes edhe ideolgjizimin, unë do të thosha se e kanë pasur atë nga halli, se ua kërkonin. Ndërsa vetë ata, aktorët, regjisorët, skenaristët, kanë kërkuar të bukurën, të mirën, detajin, karakterin dhe nuk e kanë vrarë shumë mendjen për polititizimin. Atë e kanë shtuar të tjerët, por edhe nëse e kanë , kjo sepse ua kanë kërkuar, sepse po të mos ishte ajo, libri nuk botohej, filmi nuk shfaqej. Të gjithë aktorët e kanë kuptuar se ideologjizimi ka qenë në veprën e tyre si një mish i huaj, si një kulpër parazit veshur pemës për trungu, por ç’t’i bëje? Sidoqoftë, të gjithë filmat tanë që janë xhiruar para 30-40 vitesh, kanë vlera dhe vlera e parë janë aktorët tanë të mëdhenj, pastaj edhe tematikat e larmishme që kanë patur. Sepse në themel të tyre ishte njeriu që luftonte për liri, fshatari që mbillte grurin edhe misrin, edukatorja që edukonte fëmijët, nëna që lodhej për rritjen e fëmijve, mjeku që shëronte, inxhinieri që futej në minierë një lloj si punëtori, dasma që kalonte në alegri, hidhërimi që përballohej bashkë, kënetat që thaheshin, dritat që vinin, spitalet që ndërtoheshin, shkollat që masivizoheshin, zakonet e veshjet e prapambetura që luftoheshin./balkanweb/KultPlus.com