30 Qershor, 2021 - 2:00 pm
Projekti filmik ‘Sisterhood’ i regjisores Dina Duma, ku Kosova është në bashkëprodhim minor do të ketë premierën botërore në festivalin e kategorisë A, Karlovy Vary Film Festival në konkurencën ‘East of the West’, njofton Qendra Kinematografike e Kosovës.
‘Sisterhood’ është bashkëprodhim në mes të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Malit të Zi me producentin Kosovar Liridon Cahani nga shtëpia filmike Added Value Films.
Në film miqësia e dy vajzave adoleshente kërcënohet në momentin kur ato duhet të përballen me pasojat e tmerrshme të sjelljes së tyre manipuluese. Filmi është vendosur në komunitetin e adoleshentëve, për të cilët grumbullimi i ndjekësve në mediat sociale është më i rëndësishëm sesa kultivimi i marrëdhënieve të mirëfillta. Në debutimin e saj delikat, regjisorja miraton një qasje autentike për të kapur momentet formuese të rinisë, të cilat na mësojnë të pranojmë përgjegjësinë për veprimet tona./
Në film luajnë: Antonia Belazelkoska, Mia Giraud, May-Linda Kosumoviq etj. / Koha.net / KultPlus.com