27 Qershor, 2018 - 9:07 am
Se çmimet vjetore për kinematografi – përfshirë atë për vepër jetësore që mban emrin e Bekim Fehmiu – duhet të ndahen çdo vit në një ceremoni solemne më 1 qershor, në datëlindjen e aktorit me nam, përcaktohet me rregulloren që ka hyrë në fuqi qysh më 2014, shkruan sot “Koha Ditore”.
Por Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit e ka shkelur rregulloren e vet, që është e publikuar edhe në ueb faqen e saj zyrtare, duke mos i ndarë çmimet, të paktën jo në një ceremoni publike. Me tre kandidatë të propozuar për laureatë të çmimit kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu”, Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit në maj kishte njoftuar se do ta rikthente në agjendë ndarjen e këtij çmimi, në ditën që përkon me datën e lindjes së aktorit.
Vitin që shkoi “Bekim Fehmiu” nuk qe ndarë në mungesë të aplikanëve. E më 11 maj, MKRS-ja e kishte mbyllur konkursin që përveç çmimit kombëtar për vepër jetësore bëri ftesë edhe për “Çmimin vjetor për kinematografi”, që u jepet krijuesve të dalluar të cilët me krijimtarinë e tyre kanë lënë gjurmë të thella në fushën e kinematografisë.
As ky çmim nuk u nda vitin që shkoi. Më 2016, laureat i çmimit kombëtar për vepër jetësore “Bekim Fehmiu” ishte aktori veteran Bislim Muçaj e më 2015 aktori Xhevat Qorraj ishte laureati i tretë. Në vitin 2014 me këtë çmim u nderua regjisori Isa Qosja, e më 2013 postmortem iu nda aktorit Faruk Begolli.
Ndarja e çmimit “Bekim Fehmiu” deri më tash ka qenë e vetmja mënyrë që institucionet kanë përdorur për ta kujtuar aktorin shqiptar në muajin kur shënohen dita e lindjes dhe e vdekjes së tij./ KultPlus.com