18 Korrik, 2017 - 1:22 pm
Sot me fillim prej orës 12:00 në hapësirën e rregulluar përpara Teatrit Kombëtar të Kosovës, u mbajt një masterklasë nga skenaristja e filmit të njohur “Danish Girl”, Lucinda Coxon, shkruan KultPlus.
Kjo ngjarje është organizuar në kuadër të festivalit të filmit PriFilmFest, e hapur për publikun, mediet dhe të gjithë mysafirët nga industria e filmit.
Skenaristja britanike Coxon përpara të pranishmëve foli për punën e saj në skenarin e filmit “Danish Girl”. Në filmin “Danish Girl” luajnë Alicia Vikander dhe Eddie Redmayne.
“Puna për filmin “Danish Girl” ka filluar para 11 viteve, dhe përgjatë kësaj kohe janë ndërruar rreth 6 regjisorë, dhe janë shkruar rreth 20 skica të skenarit, por unë gjatë gjithë kohës kam mbetur skenaristja e vetme e filmit”, thotë Lucinda Coxon.
Filmi britanik “Danish Girl” i përket zhanrit dramë – romancë dhe është i bazuar në romanin e David Ebershof me të njëjtin emër. Regjinë e “Danish Girl” e ka bërë regjisori amerikan Tom Hooper, ndërsa skenarin e ka shkruar shkrimtarja e njohur britanike Lucinda Coxon.
“Mendoj që filmi “Danish Girl” është realizuar në kohën e duhur dhe është një film me ndikim në kinematografinë britanike. Unë kam pasur fat që kam punuar me një regjisor kaq të mirë siç është Tom Hooper”, tha mes të tjerash Lucinda Coxon.
“Danish Girl” trajton historinë e jetës së Lili Elbe, një nga njerëzit e parë që i është nënshtruar një operacioni të ndërrimit të gjinisë.
“Unë nuk e kam ditur me parë që ishte e bazuar në ngjarje të vërtetë. Edhe pse skenari ka mjaft dallime në mes të librit dhe filmit”, tregon mes tjerash skenaristja.
PriFilmFest këtë vit ka një numër të madh të mysafirëve, mes tyre edhe Lucinda e cila është edhe pjesë e jurisë në këtë festival. Gentianë Morina /KultPlus.com