Skllavi: Nuk është fjala vetëm për film

5 Mars, 2020 - 11:10 am

Ibrahim Berisha

E kishte kuptuar drejt, ishte dhe do të mbetej vetem një kartë bixhozi në dorën e pronarit. Skllav dhe asgjë më shumë.

Filmi është vetëm një faqe e vogël e së vërtetës së François Vatel. Filmi po me titull: Vatel. Ai kishte qenë një personazh  real, kryekuzhinier,  i cili në prillin  1671 do t’u dilte zot 2000 mysafirëve të ftuar në kështjellën Chantilly. Në rolin e kryekuzhinierit në kështjellën e princit burbon Condé, ai do të bënte mrekulli kulinare.

Kur Louis XIV po qëndronte në atë gazmend në Chantilly, Vatel duke qenë në një rol shumë delikat, duke ndjekur edhe parimin e kahershëm prej shërbëtori të përkushtuar, bëri gjithë çfarë mund të bënte për të mrekulluar një mbret nga më të njohurit e gjithë historisë së Francës.

Pas tri ditë të pritjes së mrekullueshme që iu bë mbretit dhe korit të tij, duke përgatitur hajet më të jashtëzakonshme dhe duke organizuar spektaklet që nuk ishin provuar deri atëherë në Francë, por gjithnjë nga pozita e shërbëtorit, Vatel përfundon i vetmuar dhe i ngrysur në dhomën e tij. Thënë më shkurt: I dërrmuar dhe i pashpresë.

Peshku nuk po vinte për drekën e fundit.

Kur ai ishte në orën më të madhe të shkëlqimit, duke kaluar edhe një dashuri të madhe dhe të ndaluar me një zonjë nga ekspedita e Mbretit, ata që duhej të sillnin peshkun, nuk po dukeshin askund. Si do t’u dilte përpara duarthatë Princit dhe Mbretit? Vatel nuk e humbë ekuilibrin duke mos shkelur kufirin e rëndë ndërmjet Pronarit dhe Skllavit.

Tashmë edhe dashuria mahnitëse treditore e kryekuzhinierit me zonjë të oborrit mbretëror, nuk kishte si të ecte ndryshe, pos përmes një përfundimi të vështirë.

Vatel nga minuti në minut po i  komplikohej puna pasi pikërisht në drekën e fundit solemne, për Mbretin,  furnizuesit nuk po sillnin peshqit, gaforret dhe guacat, gjithë çfarë do t’i mundësonte atij të bënte edhe një drekë të mrekullueshme dhe lamtumirëse  për mysafirin më të lartë.

Duke mos përballuar përgjegjësinë e skllavit, po edhe për shkak të dashurisë së pamundshme me Anne de Montausier, ky një kuzhinier dhe ajo një oborrëtare, dy pika të patakueshme statusesh sociale dhe, dështimit në orën më të rëndësishme të jetës së tij, ai s’hamendet të tërheq derën dhe të kyçet për t’ mos dalur nga aty.

Trokitja në derë nuk ia ndryshon mednjen. Trokitja sillte dy lajme: i vinte dekreti i Mbretit Luis XIV se ai do të merrte postin e kryekuzhinierit në oborrin mbretëror. Ai do të bëhej shërbëtor i mbretit pasi në lojë letrash Princi Condé, e kishte humbur bastin. Basti kishte qene,  nëse fiton Mbreti, atëherë duhej dhënë kryekuzhinieri. Mbreti e priste nisjen në udhëtimin e tij, që kishte vendosur ta bënte, pa e ngrënë  drekën.

Lajmi tjetër që do t’i njoftohej: Arriti, peshku!

Lajmet nuk kishin vlerë pasi Vatel tashmë si një pronë e humbur kënaqësie në bixhoz, nuk do të përballonte jetën edhe mëtej të një skllav besnik, deri kur Mbreti do ta humbte dikund po në lojë letrash sikur edhe e fitoi. E kishte kuptuar drejt, në jetën e tij, ishte dhe do të mbetej vetem një kartë bixhozi në dorën e pronarit, skllav dhe asgjë më shumë./KultPlus.com

Të ngjajshme