3 Gusht, 2018 - 8:40 pm
Alberina Haxhijaj
DokuFest, festivali i cili për vite me radhë e shndërron qytetin e Prizrenit në një vend ku mblidhen artdashësit për të përjetuar netët magjike të cilat i ofron ky festival, nisi rrugëtimin e tij sonte, shkruan KultPlus.
Edhe këtë vit, qyteti i bukur i Prizrenit, duket më ndryshe, qysh sonte ai është mbi populluar dhe gjallëria i është shtuar dukshëm. Ky është efekti DokuFest, të cilin të gjithë e kanë mësuar.
Ritmet e muzikës më të mirë, e filmat e përzgjedhur me shumë delikatesë do të ju shoqërojnë për gjatë ditëve sa do të zgjatë festivali më i madh në vend.
Sonte të gjithë ishin mbledhur te Kino Lumbardhi për të shënuar hapjen e festivalit, dhe për të ju uruar mirëseardhje, fjalën fillimisht e mori, Eroll Shporta, bashkëthemelues i festivalit, i cili me pak humor e filloi gjithë këtë mbrëmje.
“E rëndësishme është që edhe sivjet Dokufesti ka filluar me bereqet. Krejt kjo falë motit me reduktime 4 orë diell, 2 orë shi, u shpreh Shporta. Ai tutje nuk la pa thumbuar edhe politikanët tanë.
“Si mëlmesë, vetëm për ju mysafirë, kemi emëruar nja 30 zyrtarë të lartë për flladitje”.
Krejt për fund, ai i ftoi të gjithë që t’i bashkëngjiten festivalit ashtu siç janë.
“E juve ju mbetet vetëm një gjë: të vini ashtu sikurse jeni. Sikurse programi i larmishëm i Dokufest. Hajdeni edhe nëse ju pëlqejnë reflektimet me rreze të gjata, të shkurta, kombëtare apo ndërkombëtare. Nëse jeni gra, fëmijë, pleq, të rritur, radikal, të thjeshtë, të butë, të mençur, sidomos të mençur, apo thjesht dëshironi të reflektoni “në temë të lirë”. E ashtu qysh jena, këtu sonte, ju thërras që ta bëjmë një hapje si asnjëherë në DokuFest”.
Tema e sivjetme, që është “Reflektimi” vjen si frymëzim nga kënga e Velvet Underground “I’ll Be Your Mirror”, këngë me të cilën edhe filloi ky edicion, përderisa teksti I saj u shfaq në një projektor të madh dhe të ftuarit këndonin të gjithë njëzëri.
Programi i DokuFest synon të shndërrohet në pasqyrë të botës ku jetojmë, si një pikënisje të asaj se kush dhe çka jemi. Kjo temë do të hulumtohet përmes kampanjës së festivalit si dhe përmes një kombinimi të programit të filmave, ekspozitave digjitale, bisedave me artistë, punëtorive dhe performancave muzikore.
Ky edicion i DokuFest shënohet edhe me një laramani të gjerë të paneleve, të cilat do të eksplorojnë në thellësi temën e reflektimit. Përmes tyre, do të reflektohet mbi të kaluarën e Kosovës dhe rajonit, por edhe mbi të ardhmen e filmit në Kosovë me anë të industri-eventeve të
Kosovës Kreative.
Filmi ‘The Raft’ me regji të Marcus Lindeen ishte filmi i cili bëri hapjen e këtij edicioni të shtatëmbëdhjetë të DokuFest-it. Si zakonisht, edhe këtë vit ka një numër të madh të filmave të shkurtër. Si talentet e rinj ashtu edhe një numër të filmbërësve të shpërblyer, nuk do të mungojnë as këtë vit.
Po ashtu për herë të parë në Kosovë ky festival do të sjellë një retrospektivë të gjerë të kinemasë tajvaneze me filma të mjeshtërve siç janë Edëard Yang dhe Hou Hsiao-hsien, si dhe një numër të perlave të rralla nga ky vend i vogël me trashëgimi të shquar të kinemasë.
Në hapje të festivalit ndër të tjera u tha që një pjesë e programit i kushtohet fuqisë së grave dhe kjo është pikërisht ajo që do të gjeni në një program të mrekullueshëm të kinemasë eksperimentale me regjisore femra.
Edicioni i XVIII do të zgjasë nga 3-11 gusht. Për të mësuar më shumë për programin e këtij edicioni mund të ndiqni faqen zyrtare të DokuFest-it. Po ashtu KultPlus do të vazhdojë që të ju informoj çdo ditë për festivalin. /KultPlus.com