15 Dhjetor, 2018 - 2:18 pm
Sot për herë të parë në Prishtinë do të organizohet shfaqja e filmave në kuadër të Festivalit Global të Filmit mbi Migracionin, ku janë përzgjedhur filma vendorë, si dhe filma dhe dokumentarë nga përzgjedhja ndërkombëtare.
Në këtë edicion Festivali do të shfaqë filma të shkurtër dhe të gjatë si dokumentari “Zvicra” nga një regjisor i ri kosovar – Fisnik Maxhuni, filmin “Kiem Holijanda”, vetëm për ti përmendur disa prej tyre.
Filmat e përzgjedhur mbulojnë aspekte të ndryshme të migrimit, nga kthimi i detyruar me forcë, migrantët në lëvizje, deri tek çështjet e integrimit dhe identitetit kur jetojnë në diasporë. Nëpërmjet tyre, tregimet personale do të tregojnë një aspekt njerëzor të migrimit, përtej vellos të paragjykimit, dhe numrave të depersonalizuar.
Që nga viti 2016, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) organizon Festivalin Global të Filmit mbi Migracionin (GMFF – Global Migration Film Festival) në mbarë botën, duke shfaqur filma dhe dokumentarë që shfaqin sfidat e migrimit dhe kontributet unike që emigrantët i dhurojnë komuniteteve të tyre të reja. Festivali i këtij viti do të shfaqet në më shumë se 100 vende, duke përfshirë shfaqjen e IOM-ut në Kosovë. Qëllimi i GMFF është që të përdorin filmin si mjet edukativ me të cilët ndikojnë në pikëpamjet dhe qëndrimet ndaj migrantëve, si dhe mjet kreativ për normalizimin e diskutimeve mbi migrimin nëpërmjet tregimit. / KultPlus.com