Sot nis edicioni i tetë i “Mirëdita, dobar dan!”

14 Tetor, 2021 - 6:30 pm

Edicioni i tetë i “Mirëdita, dobar dan!” hapet sot në ora 18:30 në Kino Armata në Prishtinës, me shfaqjen e filmit dokumentar, “Hold me right” (Më shëro) të Danijela Stajnfeld.

Gjatë tri ditëve sa do të zgjasë ky festival, në kryeqytetin kosovar do të prezantohen artistë dhe krijues që përfaqësojnë skenën kulturore dhe shoqërore moderne të Serbisë.

Programi i “Mirëdita, dobar dan!” për këtë vit, sipas organizatorëve mbyllet me 16 tetor 2021, me filmin “Ngarkesa” të Ognjen Glavoniç.

“Mirëdita, dobar dan!” si qëllim të vetin ka shkëmbimet kulturore në mes të Kosovës dhe Serbisë. Që nga 2014 në kuadër të këtij festivali në Beograd është prezantuar skenën kulturore dhe shoqërore të Kosovës, ndërsa këtë edicion, “Mirëdita, dobar dan!” prezanton  skenën kulturore e shoqërore të Serbisë në Prishtinë.

“Qëllimi kryesor i programit “Mirëdita, dobar dan!” është krijimi i lidhjeve të reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nga persona aktivë në kulturë, media, shoqëri civile, nëpërmjet prezantimeve kritike dhe dialogut mbi çështjet bashkëkohore me të cilat ballafaqohet rajoni dhe promovimin e kulturës si një mënyrë bashkëpunimi dhe mësimi për njëri-tjetrin”, thuhet në njoftimin e “Integra”-s, organizatoret e “Mirëdita, dobar dan!”.

Programi “Mirëdita, dobar dan!”, organizohet nga “Integra”, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, forumZFD, Festivali DAM dhe Iniciativat Qytetare, me mbështetjen e Fondacionit Kosovar për Shoqëri të Hapur, Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, dhe “Rockefeller Brothers Fund”. / KultPlus.com

Të ngjajshme