3 Gusht, 2020 - 2:29 pm
Nga Florim Hashani
Të flasësh për artin, do të thotë të flasësh për gënjeshtrën që bën të meditosh mbi të vërtetën. Derisa njohja e vërtetës përkon me një sërë interpretimesh Platoniane, ajo ndeshet furrishëm me gjitha ideologjitë që krijoi mendja e njeriut. Sepse e vërteta është e mirë në shkencat ekzakte por, është tejet relative në jetë. Në jetë, parësore janë ndjenjat skizmatike si iluzioni, imagjinata, dashuria e shpresa, mbi të gjitha, besimi, si përsiatja më sublime e qenies njeri në raport me Zotin. Për ta njohur Zotin, nuk mjafton vetëm besimi; njohja intelektuale është mënyra e vetme për njohjen e Zotit sepse intelekti gëzon fuqinë që ti kuptojë gjërat ashtu siç janë, që i shërben lumturisë së vërtetë pa qenë i kushtëzuar nga ndonjë gjendje fiziko-mendore specifike. Konceptimi i Zotit pa intelektin, është konceptim i vulgut (injorancës) dhe i njëjti bazohet në gjendjen kontekstuale dhe racionale të njeriut.
Ndoshta këtë po orvatej të na shpaloste regjisori më eminent i kinemasë poetike, Andrei Tarkovsky. Filmi fantastiko-shkencor Stalker, shtrihet në horizontet më të thella për ta kapërcyer hendekun e nihilizmit; Më shumë se distopi negative ajo ngërthen në vete pragmatizmin. Është stimulacion që stimulon ekzistencën e besimit dhe gjunjëzimin e spirituales si pasojë e njohurive të rreme që i posedojmë.
–
Ngjarja zë vend në një provincë misterioze e të braktisur të quajtur “The Zone”, ku qeveria ka izoluar popullin e saj si pasojë e dyshimeve se ligjet normale të fizikës dhe realiteti janë të shtrembëruar. Disa persona të ashtuquajtur “stalkers” që ndoshta mund të përkthehej si “ndjekësit”, janë orientuesit që i drejtojnë njerëzit te “Zone” në qendër e së cilës ndodhet “Room”, që është dhoma “hyjnore” me fuqi transcendentale, për përmbushjen e dëshirave më të thella të njeriut. Dëshira këto që iu kushtohen njerëzve që mendojnë se çka në të vërtetë kërkojnë nga jeta, çfarë mund t’i bëjë ata të lumtur, nëse lumturia është e mirëqenë për qeniet njerëzore dhe çfarë çmimi duhet të paguajnë për lumturinë.
–
Tre personazhet kryesore të filmit janë vetë protagonisti me pseudonimin “Stalker”, një shkrimtar, që kërkon inspirimin kur bota e ka braktisur atë dhe nuk gjen arsye të shkruaj dhe një profesor, që synon zbulimin e këtij vendi të mistershëm dhe hyjnor për ta plotësuar egon e tij.
Stalker është kryevepra eklatante e kinemasë botërore. Është simbiozë e poetikës dhe filozofisë, e artit dhe gënjeshtrës, e besimit dhe ateizmit, e jetës dhe vdekjes. Gjenialiteti i skenarit, dialogjet dhe monologjet komplekse të personazheve mbi të vërtetën, janë komponente enorme të piedestalit të krijimtarisë. Hipnotizimi i audiencës me skenat më tensionuese duke mbërthyer muzikën në prapavijë, të bëjnë të mendosh mbi realitetin dhe konceptin e vetë jetës. Tarkovsky depërton thellë në shpirtin e njeriut. Ai futet në skutat më të errëta të vetëdijes dhe e zhvesh njeriun nga petku i frikës duke ia lënë vetë audiencës pyetjen se: “CILI ËSHTË EFEKTI I BESIMIT NË SHOQËRI?” / KultPlus.com