Stefan Çapaliku: Edhe një tjetër film i panjohur i kinemasë shqiptare

21 Gusht, 2019 - 10:30 pm

Duke ecë rrugës së Gjuhadolit në Shkodër, aty ku aromat përëndimore duket se të marrin me vete dhe të dehin ndërgjegjen e helmatisun prej idesë së ikjes, ndeshesh nga e djathta me shpinë e qytetarit ma të madh e të të gjitha kohënave të dalë prej atij rrethi, Kolë Idromenos.

Jehonën e vëllezërve Lymier, të përhapun si një rrezatim i shpejtë të një arti në lindje e sipër, e kishin përcjellë nëpër Ballkan, vëllezërit me origjinë shqiptare Manaki. Ata u njohën shpejt si “Lymierët e Ballkanit”.

Por fill menjëherë, në vitin 1908 Kol Idromeno shfaqi për herë të parë një film në Shkodër. Më pas filmat e huej të atyne viteve filluen të shfaqen edhe në kinematë e qyteteve kryesore të Shqipnisë.

Kronika më e hershme mbetet deri më sot ajo e vitit 1911, që pasqyron rrethimin e Shkodrës nga ushtritë Malazeze dhe pasohet nga kronikat e ardhjes së Princ Vidit në Shqipëri, si dhe ato me pamje nga Tirana dhe Durrësi.

Në vitin 1943 regjisori shqiptar Mihallaq Mone xhiroi për herë të parë në Pogradec një film artistik 10 minutësh i titulluem “Takim në Liqen”, në të cilin interpretonin aktoret Merita Sokoli, motrat Xhaçka dhe aktori i njohur shqiptar i atyne viteve në Rumani, Kristaq Antoniu.

Mirëpo nëpërmjet arkivës së “Marubit” njihemi me një tjetër fakt surprizues. Gegë Marubi në vitin 1940 ka fotografue të shtëpia e Mark Kakarriqit në Shkodër (në kohën e komunizmit e njohun si “Shtëpia e Pionierit” dhe tashti e shëmbun për motive “demokratike”), si dhe te Shtëpia e Luigj Gurakuqit në Shkodër (gjithashtu e prishun për motive “kapitaliste të tregut të lirë”) procesin e xhirimit të një filmi, me gjasë artistik, bazue dhe frymëzue nga motivet e pikturës së famshme të Kolë Idromenos “Dasma shkodrane”.

Në fotot e Gegës vihen re përsonazhe të veshun me kostume popullore, ma së shumti qytetase shkodrane, por edhe malësore.

Kameramani dhe regjisori, njerëzit e tjerë të ekipit janë gjithashtu të pranishëm në këto foto. Ne fatkeqësisht ende nuk i kemi identifikue e nuk ia dimë emnat.

Në mesin e “aktorëve” dallohet edhe figura e dashur për qytetarët e Shkodrës, ajo e doktor Kel Naraçit.

Kështu ky shkrim i shkurtë mbetet një “pasim topi” te ata që duen të thellohen në historinë e kinemasë shqiptare./exlibis/ KultPlus.com

Të ngjajshme