Stephen King flet hapur: Ndarja e çmimeve “Oscar” është e kurdisur

31 Janar, 2020 - 9:06 am

Shkrimtari i mirënjohur i romaneve horror e ka shokuar publikun me komentet për kriteret e ndarjes së çmimeve.

Stephen King i ka tërhequr komentet e tij kontroverse për diversitetin dhe ceremoninë e çmimeve Oscar. Në një ese të gjatë që e shkroi për “Washington Post”, ai pohon se Oscari është i manipuluar në dobi të të bardhëve.

King i zemëroi autorët dhe fansat pasi e postoi komentin në Twitter: “Kur votoj për një publikim si anëtar i Akademisë së Filmit, nuk e marr fare parasysh dallimin gjinor dhe racor në kuadër të çështjeve artistike. Vetëm cilësinë. Unë çdo mënyrë tjetër e konsideroj të gabuar”. King mund t’i kandidojë filmat në tri kategori “Oscar”: filmi më i mirë, skenari i adaptuar dhe skenari origjinal, kështu që me këtë rast e komentoi mungesën e njohjes për femrat dhe artistët zezakë në ndarjen e sivjetme të çmimeve.

“Ta hajë dreqi, Stephen. Mendova që je më i mirë se kaq. Duhet ta kesh të qartë se dallimi dhe cilësia nuk janë dy tipare të ndara, as nuk e kundërshtojnë njëra-tjetrën. Përveç, mbase, në mendjen e një fanatiku,” komentoi Nora K. Jemisin. autorja e “The Hundred Thousand Kingdoms”.

Me të u darkorduan edhe shumë kolegë, të cilët shprehën keqardhje që një njeri i madh si King mund të jetë aq mendjengushtë, shkruan KOHA Ditore. Ata besojnë se cilësia është kudo, por që shumica e industrive besojnë në cilësinë e një mesatareje demografike – raporton Guardian.

King pastaj e shtoi edhe një postim tjetër për ta shpjeguar qëndrimin e tij të mëparshëm:

“Gjëja më e rëndësishme të cilën ne si artistë dhe krijues mund ta bëjmë është të sigurohemi që të gjithë e kanë një shans të barabartë, pavarësisht gjinisë, ngjyrës apo orientimit. Për momentin, njerëzit e tillë keqkuptohen, jo vetëm në art. Nuk mund ta fitoni një çmim nëse përjashtoheni nga gara për të njëjtat gjëra”.

Autori i njohur i zhanrit horror e shkroi një ese për Washington Post në të cilën theksoi se postimi dhe mesazhi i tij ishin nxjerrë nga konteksti. Ai në fakt tha se ata që vendosin për ndarjen e çmimeve duhet të jenë të verbër ndaj çdo dallimi (racor, gjinor dhe demografik) në mesin e artistëve. Shkrimtari pretendon se ai nuk tha që filmat, librat, shfaqjet dhe muzika që janë në fokusuar në dallimin ose pabarazinë nuk mund të jenë vepër e një gjeniu krijues. Mund të jenë dhe shpesh janë.

King në esenë e tij e vazhdoi tezën origjinale për atë që gjyqtarët duhet të jenë të verbër, por se kjo nuk është një botë e përsosur, sepse loja (Oscar) është e kurdisur për të fituar të bardhët. Ai e vendosi theksin në përqindjen e përbërjes demografike të votuesve për çmimin “Oscar”: 32 për qind janë femra dhe vetëm 16 për qind grupe minoritare.

“Vlerësimi i punës së dikujt sipas çfarëdo standardi tjetër, përveç paanshmërisë totale është fyes dhe e dëmton punën e të gjithë artistëve të shkëlqyer. Ne nuk jetojmë në botën e përsosur, ndërsa kandidimet e sivjetme të ndarjes së çmimeve “Oscar” edhe një herë e konfirmojnë këtë. Ndoshta një ditë do të mundemi? Mund të ëndërroj, apo jo? Në fund të fundit, unë trilloj tregime për të fituar para”, theksoi King. / KultPlus.com

Të ngjajshme