Steven Kastrissios: ‘Bloodlands’ është një film rreth familjes dhe traditës

24 Shtator, 2017 - 1:25 pm

E vështirë të thuhet nëse regjisori australian Steven Kastrissios ka një marrëdhënie me hakmarrjen, por dy filmat kryesorë të jetës së tij shikojnë nëpërmjet saj. Pas “The Horseman”, që e shpërndau fillimisht nëpërmjet tregut amerikan, ai vjen në Shqipëri me të parin film horror shqiptar.

“Bloodlands” vjen në kinema që prej së premtes, nën inerpretimin e Gëzim Rudit, Ilire Vincas, Suela Bakos e të tjerë.

“The Horseman është i gjithi një film për hakmarrjen. Bloodlands nuk eksploron hakmarrjen në vetvete, pavarësisht se e përdor atë. Është një film rreth familjes dhe traditës”, thotë vetë regjisori Steven Kastrissios.

Edhe ky film et për dhunën. Një vajzë mbetet shtatzënë dhe stigmatizohet nga banorët e lagjes së saj. Izolohet në mal edhe shndërrohet në një shtrigë të vërtetë, e cila mbledh rreth vetës një grup njerëzish, të cilët njëlloj si asaj shoqëria ua ka kthyer shpinën. Edhe më herët regjisori është shprehur rreth dhunës.

“Dhuna është diçka që e marr seriozisht dhe e konsideroj, sepse nuk duhet të futësh ide të këqija në kokën e njerëzve. Ajo që bëj është që i trajtoj historitë me shumë përgjegjësi dhe rolin e dhunës në to”, vijon ai. Ky film i ka dhënë aktores Suela Bako, në rolin e Shpresës çmimin e aktores më të mirë në “Nashville Film Festival”.

Përveç kësaj dhe origjinalitetit të filmit, regjisori ka një ftesë për publikun. “Produksioni i këtij filmi është i ndryshëm nga çdo film tjetër në Shqipëri. Postproduksionin e kemi bërë në Australi për dy vite dhe duhet t’i shohësh këta artistë të Shqipërisë në ekranin e madh të kinemasë. Me një aktrim për të cilin reagimi ka qenë se është puna me e mirë e tyre ndonjëherë”, thotë ai, transmeton tch./ KultPlus.com

Të ngjajshme