Studentja kosovare Alma Çoçaj fiton bursën e PriFest dhe Sarajevo Film Academy

9 Gusht, 2018 - 7:25 pm

Është studentja e regjisë Alma Çoçaj nga Ferizaji, që fiton bursën për studime bachelor të cilën Sarajevo Film Academy dhe PriFest ndajnë tashmë për herë të dytë.

Vitin e kaluar ishte studenti Sovran Nrecaj që e fitoi të njëjtën bursë.

Me iniciativën e PriFest dhe në marrëveshje me Sarajevo Film Academy (SFA), edhe një student tjetër i filmit nga Kosova do ta ketë rastin e veçantë të studiojë në një shkollë të mrekullueshme filmi, me mësimdhënës të nivelit më të lartë në industrinë e filmit dhe në ambiente e kushte të jashtëzakonshme për mësimnxënje. Bursa e fituar mundëson studimet e plota bachelor tre vite për studenten Çoçaj, në këtë institucion prestigjioz të filmit që gjendet në Sarajevë, Bosnje e Hercegovinë dhe shuma e plotë është 25,500.00 EUR.

Me të pranuar lajmin për pranimin në SFA Alma Çoçaj deklaroi: “Isha në kërkim të dritares, të cilën PriFest e hapi për mua. Lajmi se u pranova të vazhdoj studimet në Sarajevë dha tek unë shpresën se duhet të vazhdoj këtë rrugëtim dhe të mos ndalem. Poashtu, më dha ndjenjën se në Kosovë ka njerëz të cilët dëshirojnë të na përkrahin me vullnetin dhe punën që bëjnë, PriFest është Festivali që gjithmonë reflekton energji pozitive tek unë. Andaj ndihem shumë Falënderuese! Tani është një hap i ri, dhe një përvojë e re e cila më pret, e të cilën do e shfrytëzoj në aspektin produktiv! Nga Sarajeva pres shpërthimin e asaj që është dhe do të gatuhet brenda këtyre 3 viteve që më ofrohen përmes kësaj burse!”.

Ndërsa Emina Ganic, drejtoresha e Sarajevo Film Academy me këtë rast tha: “- Bashkëpunimi ynë me PriFest ka rëndësi të madhe për ne. Kosova është një vend përplot artistë të rinjë të talentuar dhe të motivuar, por të cilëve shpesh i’u mungojnë mundësitë për të shprehur talentin, njohuritë, aftësitë apo dhe të shprehin mendimin e tyre para një audience më të gjerë. Bursa komplete e studimeve që ne e ofrojmë në bashkëpunim me PriFest, na mundëson ne që të zbulojmë dhe t’i kultivojmë më tutje këto talente. Jemi shumë të entuziazmuar që do ta mirëpresim fituesen e bursës për këtë vit, Alma Çoçaj, dhe i gëzohemi faktit që do të kemi mundësi të realizojmë filma së bashku.”

Vjosa Berisha, drejtoresha e PriFest, që sapo përfundoi me sukses edicionin e 10-të të festivalit, lidhur me këtë lajm të mirë u shpreh si vijon: “- Jam e lumtur që për të dytin vit radhazi kemi studentë nga Kosova që fitojnë këtë bursë shumë të vlefshme. Jam shumë krenare që misioni i PriFest për mbështetjen konkrete industrisë së filmit të Kosovës po përmbushet çdo vit shumë e më shumë. Ndërsa posaçërisht më bën krenare fakti që sivjet fituese e bursës është një regjisore femër. Këtë që ne po përpiqemi të bëjmë për industrinë vendore dhe të rinjtë tanë, do të kenë një ndikim pozitiv në afat të gjatë. Presim nga Alma e Sovrani jo vetëm filma të mirë që do të bartin emrin e Kosovës në botë, por edhe të sjellin në Kosovë përvojat e reja të mësimdhënies dhe ta bartin përvojën e tyre tek gjeneratat që vijnë”.

Përfituesi i kësaj burse do të ketë mundësi të ndjekë ligjërata nga profesorë me renome nga mbarë bota, të prodhojë filma gjatë studimeve, si dhe të ndjekë shumë punëtori speciale të organizuara nga Akademia me mysafirë profesionistë, emra shumë të njohur të kinematografisë botërore. Në vitet e kaluara ligjërues në seminare kanë qenë: Juliette Binoche, Tilda Swinton, Bella Tarr, Gael Garcia Bernal, Agnieszka Holland, Gus Van Sant, Abel Ferrara, e shumë të tjerë.

Sarajevo Film Academy është pjesë e Universitetit Sarajevo School of Science and Technology (SSST), që është një institucion privat jo-fitimprurës i shkollimit superior, i krijuar në vitin 2004. Universiteti është i përbërë nga tetë departamente akademike, shtatë institucione kërkimore dhe një Qendër të Medias Digjitale. Sot, Universiteti SSST njihet si një ndër platformat kryesore akademike të Europës Jug-Lindore. Universiteti është themeluar nga MET Foundation, një organizatë gjithashtu jo-fitimprurëse, e krijuar në vitin 1998 për të ndihmuar në përparimin dhe financimin e projekteve akademike, kërkimore dhe zhvilluese në rajonin e Ballkanit.

Studimet e nivelit bachelor të cilat zgjasin tri vite (6 semestra), janë të dizajnuara në atë formë që studentët në vitin e parë do të mësojnë aspektet elementare të filmbërjes si koha dhe hapësira filmike, teknikat e audios dhe montazhës, dhe produksioni. Të gjitha këto do të mësohen nëpërmjet punës praktike pasiqë studentëve u kërkohet të prodhojnë 4 filma përgjatë vitit me kohëzgjatje maksimumi 5 minuta secili, që trajtojnë temën e hapësirës, kohës, tregut dhe udhëkryqit.

Derisa në vitin e dytë studentëve përveç prezantimit me formatin e filmit fiction (artistik – të luajtur) atyre do t’u kërkohet të prodhojnë një film dokumentar 10-30 minuta, ndërsa kurset do të fokusohen më shumë në ndërlidhjen e literaturës me film, adaptimi i saj në film, mësimi i strukturave të ndryshme dramaturgjike dhe perfeksionimi i elementeve kyçe i narrativit kinematografik, si përgatitja e skenarit, shesh-xhirimit, montazhi dhe postproduksioni, ndërtimi dhe paraqitja e karaktereve, puna me aktorë etj. Prodhimi i një filmi artistik deri në 10 minuta, nënkupton edhe përfundimin e studimeve të vitit të dytë.

Viti i tretë dhe i fundit për nivelin e studimeve bachelor, vazhdon të investojë drejt zhvillimit personal artistik të studentëve dhe rritja e aftësisë së shprehjes së tyre në gjuhën dhe stilin e filmit. Varësisht nga nevojat e studentëve, këtyre do t’u ofrohet mentorim individual i cili do t’iu ndihmojë të përgatiten tutje në prodhimin e filmit të tyre të diplomimit. Mentorimi i cili do të bëhet nga profesionistë ndërkombëtarë, do të udhëheq studentët drejt pavarësimit të tyre profesional, pasiqë filmin e diplomimit do ta përgatisin sipas zhanrit dhe zgjedhjes së tyre, me mbështetje edhe të mentorëve, derisa buxheti dhe stafi profesional për realizim të filmit janë të siguruara nga akademia.

Bukuritë dhe kulturën e Bosnjës dhe Hercegovinës, studentët kosovarë do të kenë mundësinë t’i përjetojnë bashkë me studentë të më shumë se 30 vendeve të botës, pasiqë Akademia e Filmit në Sarajevë çdo vit pranon studentë nga Australia, Brazili, Kolumbia, Kroacia, Franca, India, Japonia, Meksiko, Portugalia, Emiratet e BashkuaraArabe, Britania e Madhe, SHBA, Itali, etj.

PriFest së shpejti do të publikojë datat e edicionit të 11-të, që do të mbahet në korrik të vitit 2019./KultPlus.com

Të ngjajshme