25 Shtator, 2019 - 9:02 am
Sylvester Stallone ka vendosur të futet në zhanrin e superheronjve për filmin “Samaritan”.
Një ditë pasi që filmi i tij më i ri “Rambo: Last Blood” debutoi në vendin e tretë në arkat kinematografike amerikane me një hapje mbresëlënëse prej 19 milionë dollarësh, 73-vjeçari e ka konfirmuar projektin e tij të radhës i cili bën fjalë për një djalë të ri të vendosur për të zbuluar nëse një “superhero mitik” është gjallë.
Regjisori Julius Avery foli për kastin e tij për Deadline, duke shkruar: “Sly është hero i imi dhe jam jashtëzakonisht i entuziazmuar që do të punoj me një aktor aq ikonik në këtë projekt shumë të veçantë”.
Roli i Stallone në projekt nuk është njoftuar ende, por raportet sugjerojnë se ai do ta portretizojë një superhero të humbur i cili mendohej të ishte i vdekur, shkruan KOHA Ditore.
Filmi do të jetë i pari për Balboa Productions, kompania e Stallone e lansuar me partnerin e tij afarist Braden Aftergood.
Ndërkohë, jo të gjithë e kanë mirëpritur filmin më të ri të Rambos nga Stallone – autori David Morrell, i cili e krijoi personazhin e veteranit-mercenarit të kthyer nga Vietnami në romanin e tij të parë First Blood në vitin 1972, e ka quajtur filmin “një rrëmujë”.
“Jam dakord me vlerësimet për Rambo: Last Blood”, shkruan ai në Twitter. “Filmi është një rrëmujë. Është e turpshme që emri im lidhet me të”.
“U ndjeva i degraduar dhe çnjerëzuar pasi u largova nga kinemaja. Në vend që të ketë shpirt, këtij filmi të ri i mungon shpirti. U ndjeva se isha më pak një qenie njerëzore, sepse e pashë atë film, dhe për ditën e sotme ky është një mesazh fatkeq”, tha David për Newsweek. / KultPlus.com