28 Qershor, 2021 - 12:32 pm
Quentin Tarantino do të nderohet me çmim special për arritje jetësore, në edicionin e sivjetmë të Festivalit të filmit në Romë.
Regjisori i njohur hollywoodian do të jetë i pranishëm në festivalin i cili mbahet nga 14-24 tetor, dhe pritet të marrë pjesë në një takim për së afërmi me publikun lokal, ku do të kenë mundësi t’i parashtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje nga Tarantino, transmeton KultPlus.
“Në një periudhë të jetës sime e shikoja secilin film Italian. Dhe një pjesë të madhe të karrierës sime e kam kaluar duke i realizuar versionet e mia të këtyre filmave. Prandaj, ta pranoj një shpërblim për arritje jetësore nga Festival i filmit në Romë, është një ndjenjë fantastike për mua”, ka deklaruar Tarantino përmes një komunikate për “The Hollywood Reporter”.
Edicioni i 16-të i Festivalit të Filmi në Romë po ashtu do ta nderojë regjisorin, Tim Burton, me shpërblim për arritje jetësore. Regjisori më së miri njihet për filma të tillë si “Edward Scissorhands” dhe “Batman”.
Në një deklaratë për media të lëshuar nga organizatorët e festivalit, Burton u vlerësua si një prej regjisorëve më origjinal në industrinë e filmit në Amerikë, puna e së cilit mund të identifikohet qysh në shikim të parë.
Burton po ashtu do të jetë i pranishëm në ceremoni për ta pranuar çmimin e tij, transmeton tutje KultPlus.
“Ta pranosh këtë nderim nga Festivali i filmit në Romë është diçka shumë e veçantë për mua. Fellini, Mario Bava, Dario Argento, që t gjithë këta kanë qenë inspirues të mëdhenj në jetën time, dhe të nderohem me çmim në Romë, vendi të cilin e dua shumë dhe një qytet ku ndihesh sikur je protagonist i filmit tënd personal, është mjaft emocionale për mua”, ka deklaruar regjisori.
Programi i plotë i Festivalit të filmit në Romë do të bëhet publik më 6 tetor. / KultPlus.com