22 Maj, 2019 - 5:20 pm
Regjisori i “Pulp Fiction” u kthye 25 vjet pasi fitoi çmimin Palme d’Or në Festivalin e Filmit të Kanës, me filmin e tij të ri me protagonistë Leonardo DiCaprio, Brad Pitt dhe Margot Robbie.
Quentin Tarantino shpalosi “Once Upon a Time in Hollywood” – ndoshta filmi më i pritur në Palais në Kanë ndër vite.
E rezultati ishte spektakular!
Filmi u përcoll me duartrokitje gjashtëminutëshe pas premierës botërore të Festivalit të Filmit në Kanë dhe la gojëhapur audiencën, të cilët thanë se prezantimi i fundit i Tarantinos ishte fantastik.
“Për aktorët e mi të mrekullueshëm, producentët dhe studiot që më ndihmuan ta bëj këtë film. Faleminderit që ishit një audiencë fantastike, herën e parë kur e shfaqëm filmin para publikut. Shihemi në Croisette” ju tha Tarantino turmës së mbledhur, pas shfaqjes.
“Once Upon a Time in Hollywood” shënon projektin e nëntë nga Tarantino që prezantohet në Kanë, përderisa njëkohësisht shënon rikthimin e DiCaprio-s, katër vjet që nga fitorja e çmimit Oscar me “The Revenant”. Ndërsa në rolet kryesore shohim aktorët Pitt dhe Robbie.
I vendosur në vitin 1969, ky film trajton kujtimet e fëmijërisë së Tarantinos, të Hollywood-it që ai njihte.
Premiera tërhoqi yje nga e gjithë bota, përfshirë Zhang Ziyi, Gael Garcia Bernal, Diego Luna, Lea Seydoux, Tilda Swinton, Guillaume Canet dhe Gilles Lellouche, se bashku me regjisorin Xavier Dolan.
Ndërkohë, dikush mbajti një pankartë që lexonte “Viva Tarantino”.
Kthimi i Tarantinos në Kanë këtë vit është i rëndësishëm pasi shënon 25 vjetorin e “Pulp Fiction” të regjisorit, që fitoi çmimin kryesor të festivalit, Palme d’Or.
Regjisori gjithashtu ka shfaqur “Death Proof” të 2007-ës dhe “Inglourious Basterds” në vitin 2009 në garën e këtij festivali, përderisa shërbeu si president i jurisë në vitin 2004./ Klan Kosova/Kultplus.com