“Të mos i hapësh dyert për refugjatët është primitive”, Arta Dobroshi sjellë mesazhin e fuqishëm për refugjatët (VIDEO)

10 Janar, 2018 - 3:35 pm

Aktorja e njohur shqiptare Arta Dobroshi, së fundmi ka publikuar një video në të cilën fytyra e saj e vendosur brenda imazhit të botës, prek disa nga çështje më të rëndësishme që lidhen me të drejtat e njeriut, refugjatët dhe paqen botërore, shkruan KultPlus.

“Dua të ju tregoj se çfarë është një refugjat”, janë fjalët e para që ajo transmeton në këtë video. Tutje aktorja Dobroshi përshkruan në mënyrë të detajuar rrugëtimin e saj si studente e aktrimit, e cila ishte dashur të linte studimet prapa për t’u nisur drejt dyerve të një shteti të huaj.

“Refugjati është një njeri i lumtur, i cili duhet të zhvendoset për shkak se është duke ikur nga jeta e tij. Në 1999 unë fillova të studioj aktrimin në Kosovë, unë isha duke bërë prova me kolegët e mi në Akademi dhe skena që në ishim duke e përgatitur po shkonte shumë mirë, ne po punonim në një pjesë të Shekspirit dhe ishim shumë të entuziazmuar t’ia paraqesim atë profesorëve tanë. Por kjo nuk ndodhi kurrë për shkak se situata u bë gjithnjë e më e keqe, kishte shumë maskara, gjithnjë e më shumë vrasje dhe u bë shumë e rrezikshme për ne që të qëndrojmë në Kosovë”, shpjegon aktorja Dobroshi gjatë kësaj videoje.

Arta tutje gjatë kësaj videoje jep një mesazh të fuqishëm mbi epitetin e një refugjati i cili në shumë raste zhvishet nga vetitë e tij njerëzore.

“Pra, ti je personi i njëjtë por tani me një epitet dhe shtetet që ishin në liri, e që hapën dyert për neve ku vendosën ta shihnin vetëm këtë epitet dhe jo njeriun që ti ishte, edhe pse ishim duke jetuar në qytetin e njëjtë, në qytetin e quajtur “Tokë”. Pra ti je i njëjti person, me këtë dua të them unë isha i njëjti person, vajzë, motër, shoqe, aktore. Derisa ne ishim duke shijuar veprën e Shekspirit me koleget e mija, dhe pas një momenti unë duhej të ikja nga jeta ime, të shkoj në një vend tjetër, para dyerve të një shtetit tjetër dhe në këtë moment këto dyer janë të mbyllura sepse ato shtete të cilat jetojnë në liri nuk i duan refugjatët, nuk duan të na pranojnë”, thotë Arta.

Ajo tutje shpjegon ndjenjat e saj lidhur me jetesën brenda një shteti tjetër, e cila kishte qenë zgjidhja e vetme, në një vend ku armët janë gjithçka që e rrethojnë.

“Unë ndihesha e mërzitur se duhej ta braktisja vendin tim dhe ju nuk jeni në gjendje të ma dhuroni në buzëqeshje në shenjë mirëseardhjeje”, pohon ajo.

Ndërsa shpjegon se momenti që lufta të mbaronte, ajo mezi priste të kthehej në shtëpi, të shihte të afërmit, nëse jo shtëpinë, të shihte kopshtin pranë tij dhe të nuhaste ajrin i cili frymonte liri dhe paqe. Arta thotë se kjo nuk ishte vetëm dëshira dhe qëllimi i saj pasi që shumica e njerëzve pas luftës e bën të njëjtën gjë, u kthyen përsëri në Kosovë.

“Ashtu siç ishte primitive që gratë nuk u lejuan të votojnë qindra vite më parë, të mos i hapësh dyert e shtetit tënd për refugjatët do të jetë po ashtu primitive”, shprehet Arta Dobroshi, aktorja nga Kosova. /KultPlus.com

Të ngjajshme