9 Gusht, 2023 - 2:00 pm
Të ndaluar për emetim nga pushteti serb në Preshevë e Bujanoc, filmat “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret” mbrëmë erdhën me premierë në Kino Armata, në Prishtinë.
Këta dy filma përpos që janë ndaluar, për ta ka nisë edhe një procedurë gjyqësore, nëpërmjet të cilës, autoritet serbe po vlerësojnë se këta filma kanë përmbajtje nacionaliste dhe nxisin urrejtje ndëretnike, shkruan KultPlus.
Por Kosova mbrëmë hapi dyert për të parë filmat e realizuar nën regjinë e Musa Isufit, me skenar të Shkelqim Islamit, producent Gani Veselin si dhe me aktorë nga Kosova, Lugina e Preshevës dhe Maqedonia e Veriut. Të pranishëm në sallë ishin edhe Kryeministri Albin Kurti, ministri Hajrulla Çeku, ministrja Albulena Haxhiu, deputetë, figura të njohura të artit si dhe artdashës.
Kur të pranishmit zunë vendet e tyre, fjalimin hapës e bëri këshilltarja e Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për Luginën e Preshevës, Ardita Sinani. Mes tjerash Sinani u shpreh se shfaqja e këtyre filmave na kthen në vitet e tmerrshme të 90-ta, duke na kujtuar pozicionimin e vështirë në të cilin gjendej Kosova në përgjithësi dhe Presheva në veçanti.
“Shfaqje si këta filma e këngë frymëzuese, na bënin të ëndërronim në lirinë tonë dhe të besonim në të. Të shohim filmin “Heshtja vret”- duke u zotuar se nuk do të heshtim as tash, sikur nuk kemi heshtur kurrë ndaj shtypjes, shpifësit dhe diskriminimit që na është bërë”, u shpreh Sinani duke thënë tutje se filmin “I pabesi” do ta shohim duke qenë përherë të vetëdijshëm që sikurse më parë edhe tash do të ketë të pabesë të cilët Serbia i quante shqiptarë të ndershëm. Sigurisht që Kosova ka njerëz të ndershëm që dhanë kontribut të përzemërt për Luginën e Preshevës dhe Kosovën.
Tutje mori fjalën regjisori i filmave, Musa Isufi. Ai falënderojë gjithë ekipin e tij për angazhimin dhe Republikën e Kosovës në jetësimin e filmave.
Shfaqja e filmave u prit me duartrokitje të fuqishme nga të pranishmit.
Në filma luajtën: Gani Veseli, Sefedin Shabani, Faton Ibrahimi, Egzona Salihu, Valon Nuhiu, Artan Ibishi, Emine Kadriu dhe Blerim Ismani.
Pas shfaqjes së filmit të parë, “Heshtja vret” në ekranin e Kino Armatës erdhi filmi “I Pabesi” po ashtu me regji të Musa Isufi dhe skenar nga Shkëlqim Islami.
Kohëzgjatja e tyre ishte 40 minuta.
Me të mbaruar filmat të gjithë të pranishmit dolën nga salla me fjalët më të mira për shfaqjen e parë.
Filmat janë prodhuar me mbështetje të Qeverisë së Kosovës, me qëllim ruajtjen e identitetit dhe kulturës dhe zhvillimin e artit e filmit shqip. / KultPlus.com