13 Maj, 2022 - 9:35 pm
Po vazhdojnë xhirimet e filmit ‘Thank You Hague’ me aktorin Sir Tony Robinson i cili këto ditë po qëndron në Prishtinë, përcjell KultPlus.
Regjisori dhe producenti, Arben Kastrati, ka arritur t’i rikthehet xhirimeve të filmit të tij “Thank you Hague” përkundër vonesës 3-vjeçare që ndodhi si pasojë e pandemisë, e cila ka ndryshuar nga protokollet e zakonshme deri në rutinën e përditshme.
Regjisori Arben Kastrati deklaroi për KultPlus se si rezultat i pandemisë, është shtyrë pjesa e mbetur e filmit, pasi disa prej xhirimeve veçse janë realizuar.
“Është një film të cilin e kam filluar para 3 viteve, por për shkak të pandemisë është shtyrë pjesa e mbetur e filmit, e tani po e vazhdoj, xhirimet me Sir Tony Robinson, e më pas edhe me emra të tjerë të mëdhenj si John Rhys-Davies, Sir Tony Robinson, Claudia Gerini, Patsy Kensit. Po besoj që xhirimet do t’i përfundojmë deri në korrik, ndërsa më pas të vazhdojmë edhe me montazh”, deklaroi ai.
Filmi flet për një periudhë të pas luftës në Kosovë, e tema kryesore ka të bëjë me lindjen e një heroi aksidental, e në film luajnë edhe aktorë vendor, siç janë: Blerta Syla, Xhevdet Doda, Ylber Bardhi, Adriana Matoshi etj./ KultPlus.com