11 Gusht, 2020 - 11:20 am
Suada Qorraj
Muzika ishte pjesë e përditshme e jetës së tyre, e bashkë me muzikën ishte edhe gjyshi, ngase ai e dëgjonte atë çdo ditë e në çdo kohë. Por, është pikërisht muzika ajo që ndalet që në fillim të këtij filmi, ndalja e muzikës shënoj vdekjen e gjyshit. Kurse vdekja e gjyshit, e në të njëjtën kohë babait të Vedait, i solli familjes përballjen zinxhirore me borxhe. Filmi i metrazhit të shkurtër “The Farmer’s Blues” sjell raportin e një familjeje, babë e djalë, bashkë me rrethanat në të cilat i kishte përplasur jeta, shkruan KultPlus.
Muzika e Luan Hajrës e shoqëron fillimin dhe pikërisht kënga “Lulzoj fusha, lulzoj mali”, është ajo që shënon përfundimin e këtij filmi, që nuk ju deshën më shumë se katër ditë të përfundonte xhirimet, mu në Sllupçan, fshatin e Kumanovës.
Ibër Deari regjisori i këtij filmi në një intervistë për KultPlus rrëfen se gjatë kohës sa e ka shkruar skenarin në shumë situata ai ka qeshur ngase sipas tij, sikur historia e trajtuar në këtë film të shikohej nga një perspektivë tjetër atëherë edhe do qeshnim me problemet që ndodhin në këto situata.
Deari ka shtuar se fokusi i tij kryesor nuk ka qenë vetëm borxhi që familja ka ndaj bashkësisë islame, ngase ai është përpjekur ta vë në pah më shumë raportin e familjes, babës dhe djalit në një situatë të tillë. Sipas tij lidhja e krijuar nga borxhet në këtë film paraqet vetëm ironinë dhe asgjë më shumë.
“Realisht unë nuk kam dashur të marr në fokus këtë temë, por ja filmi hapet ashtu dhe borxhi është vetëm një moment, kurse tema e filmit apo problematika është më shumë raporti babë e bir dhe se si ata jetojnë në këto rrethana, p.sh. nuk është vetëm borxhi ndaj hoxhës por edhe ndaj shokut dhe kështu vazhdon një zinxhir, ku secili i ka borxh njëri tjetrit. Kështu që këtë lidhjen e borxheve më shumë e kam paraqitur si një ironi se sa një problem thelbësor në film”, ka pohuar ai.
Tutje regjisori tregon se ngjarjet e “The Farmer’s Blues”, ndodhin çdo kund, në Maqedoni dhe Kosovë. Prandaj edhe filmi në shumë pjesë bazohet nga jeta reale, por që janë të modifikuara për tu paraqitur në film.
“Tash filmi nuk është gjithçka e vërtet por mund të them se ka shumë pjesë apo situata të inspiruara nga jeta reale, dhe pastaj të modifikuara për film, në shumë skena ndoshta janë pjesë që unë vet i kam përjetuar ose i kam parë, por jo bash në të njëjtën formë si i kam paraqitur në film”, ka vazhduar tutje intervistën regjisori.
Ai ka shtuar se vështirësitë më të mëdha që i ka hasur gjatë realizimit të këtij filmi kanë qenë ato teknike sepse filmi është realizuar me një ekip dhe me një buxhet shumë të vogël.
Deari ka thënë se nuk ishte një qëllim i caktuar ajo se çka e shtyu të realizonte këtë film, por dashuria që ai ka për artin dhe filmin. Madje ai ka shtuar se “The Farmer’s Blues” nuk synon të përçoj një mesazh të caktuar. Filmi në vetvete ngërthen tema të cilat mund të diskutohen, tema që mund edhe të sjellin kënaqësi por jo të krijuara për një qëllim të caktuar.
“The Farmer’s Blues” ka garuar edhe në festivalin e parë “Beach Film Festival” ku dhe ka marrë çmimin si filmi më i mirë i metrazhit të shkurtër. Por, rrugëtimi i këtij filmi nuk u ndal këtu sepse premiera e tij do jepet edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmi, Dokufest.
Ibër Deari ka rrëfyer se pjesëmarrja në këtë festival është shumë e rëndësishme, dhe shpreson që edhe ky vit do të sjellë motiv për regjisorin që ai të vazhdoj të prodhoj filma edhe në vitet e ardhshme.
“Shumë e rëndësishme dhe jam shumë i lumtur që jam pjesë e DokuFest-it këtë vit, ndoshta do kishte qenë edhe më mirë po sikur të ishim edhe fizikisht aty, por ja në kohë pandemie mjafton që po mbahet festivali edhe online. Nuk është hera e parë që marr pjesë në Doku, edhe herëve tjera kam marr pjesë me filma. Çdo herë kam kaluar mirë, shpresoj që edhe ky vit do sjell shumë motiv për të vazhduar me filma të tjerë viteve të ardhshme”, ka përfunduar intervistën Deari. / KultPlus.com