2 Qershor, 2022 - 12:00 pm
Nesër (e premte, 3 qershor) në teatrin Oda në Prishtinë jepet premiera e shfaqjes The Handke Project, për t’u pasuar me datë 4 me reprizën e radhës, po në teatrin Oda. Me 6 qershor, shfaqja do të jepet në Teatrin Shqiptar në Shkup, me datë 7 në teatrin ‘Adriana’ në Ferizaj, kurse me datë 9 dhe 10 qershor, shfaqja do të jepet në teatrin Bitef në Beograd. Regjinë e kësaj shfaqjeje e ka bërë Blerta Neziraj.
The Handke Project, ose drejtësi për marrëzitë e Peter-it, një projekt teatror ndërkombëtar që ka bërë bashk një kastë të artistëve nga Kosova, Franca, Italia, Serbia, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Gjermania, Maqedonia, Shqipëria e Mali i Zi.
Përmes prizmit të laureatit kontravers të çmimit Nobel për letërsi, Peter Handke, një ansambël pan-evropian navigojnë nëpër baraspeshën delikate ndërmjet lirisë së shprehjes dhe përgjegjësisë shoqërore në teatër.
Në kastën e aktorëve të kësaj shfaqjeje është edhe aktori i mirënjohur shqiptar nga Parisi, Arben Bajraktaraj. Aktorë të tjerë të angazhuar janë edhe Ejla Bavćić e Teatrit Kombëtar të Sarajevës, Adrian Morina e Verona Koxha nga Kosova, aktori shqiptaro-italian Klaus Martini dhe aktorja nga Mali i zi Anja Drljević.
Shfaqja është produksion teatrot i Qendrës Multimedia nga Prishtina, në bashkëpunim me Mittelfest & Teatro della Pergola (Itali), Teatrin e Dortmundit (Gjermani), Teatrin Kombëtar të Sarajevës & Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit –MESS (Bosnjë dhe Hercegovinë).
The Handke Project është një performancë teatrore për shkrimtarin që me librat dhe qëndrimet e tij ka fabrikuar e ka përmbysur faktet e luftërave në ish Jugosllavi; ka nxitur dhe përkrahur ideologjinë e ‘tokës së djegur’, si dhe u ka thurur elozhe poetëve e filmbërësve militantë, të konvertuar në ‘inxhinierë të projekteve gjenocidale’. Në varrimin e kriminelit Millosheviq, Handke i thoshte masës së njerëzve të etur për gjak, se ai “nuk e di të vërtetën” dhe se prandaj është “këtu afër Millosheviqit, afër Serbisë”. Vuajtjen e srbëve Handke e krahasonte me vuajtjen e hebrenjvee në kohën e nacizmit!
Tekstin e ka shkruar Jeton Neziraj, dramaturge e shfaqjes është Biljana Srbljanović, kurse bashkëpunëtore artistike është Alida Bremer. Skenografe e shfaqjes është Marija Kalabic, kompozitor: Gabriele Marangoni, koreograf: Gjergj Prevazi, kostumograf: Blagoj Micevski, dizajni i dritave: Yann Perregaux, dizajni i tonit: Leonardo Rubboli dhe tempo Reale, asistent i regjisë: Sovran Nrecaj, menaxhere e produksionit: Aurela Kadriu, kurse asistente e produksionit është Flaka Rrustemi./ KultPlus.com