21 Prill, 2019 - 9:30 am
Kur EL James lansoi “The Mister”, vazhdimin e serive të “Fifty Shade”, ajo ka qenë e përgatitur për kritika të këqija.
Por, ajo që ndoshta nuk e priste ishte se kritikët e saj do të përfshinin ambasadorin e Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, i cili ka shprehur shqetësimin e tij me portretizimin negativ të bashkëvendësve të tij në roman.
Romanca qendrore në “The Mister” është në mes të një aristokrati anglez, Maxim Trevelyan, dhe pastrueses së tij të varfër shqiptare, Alessia Demachi, raporton “The Telegraph”.
Ndodh që Alessia është viktimë e trafikimit seksual, e trafikuar në Britani nga gangsterë nga vendlindja e saj. Ajo u shpëton atyre, vetëm për t’u kthyer prapa në fshatin e saj nga i fejuari is aj, një bandit tjetër i dhunshëm që kërkon nga ajo t’i bindet si “një grua tradicionale shqiptare”. Alessia po detyrohet të martohet me të nga i ati.
Edukimi i saj portretizohet aq larg nga bota moderne sa që smartfonëve u referohet si “telefona të zgjuar”. Kur ajo sheh Maximin të paguajë diçka me kartë krediti, ajo mahnitet: “Karta juaj është magjike”.
Qirjako Qirko, ambasadori shqiptar, tha se përshkrimet janë “krejtësisht joreale”.
Ai tha për “The Telegraph”: “Më vjen shumë keq se ekziston një roman me këto informata që krijon kaq perceptime negative për vendin tim. Realiteti është krejtësisht ndryshe. Problemi i imazhit është një nga prioritetet e mia”.
“Shqiptarët janë njerëzit më të mirë që mund t’i takoni në jetë, pa dyshim, më miqësorët. Vitin e kaluar numri i turistëve u rrit për 32 për qind në krahasim me një vit më parë”.
Qirko nuk e ka lexuar librin, i cili e përzien gjendjen e Alessias me skena seksi për çka Jamesi është i njohur. Por ai thotë të jetë pikëlluar kur ka mësuar se karakteret shqiptare janë ose kryes krimesh ose viktima të krimit.
“Është një komunitet prej 120,000 shqiptarëve në Britani të Madhe, kryesisht në Londër. Në një komunitet kaq të madh, natyrisht se ka njerëz që kryejnë krime. Por janë thjesht disa individë”, thotë ai.
Një nga kritikat e para të librit, në revistën amerikane “Entertainment Weekly”, kritikon Jamesin për “ritheksimin e klisheve të vjetra për gratë e Evropës Lindore. Për sa u përket burrave shqiptarë në roman: të gjithë janë banditë të Neandertalit që ose e kidnapojnë Alessian (diçka që ndodh disa herë) ose e detyrojnë atë të martohet me një kidnapues tjetër”.
“The Mister” është lansuar disa javë pasi Shqipëria nisi një kampanjë turistike për të përmirësuar imazhin e saj. Slogani “Taken by Albania” nuk e ka kuptimin e tillë – që i referohet filmit holivudian në të cilin vajza e Liam Neesonit kidnapohet nga trafikantët shqiptarë.
“Në kulturën e gjerë, Shqipëria është ngjyer si një parajsë për banditë, kriminelë e gangsterë. Ndonëse ne e kuptojmë se perceptimi mund të jetë i përshtatshëm për filma të mirë, sikurse Taken (2008), është krejtësisht e pavërtetë! Në të vërtetë, Shqipëria është një vend i bukur dhe jashtëzakonisht i sigurt për t’u vizituar e jetuar”, thotë kampanja, duke iu referuar “natyrës së bukur, mikpritjes dhe traditave të përjetshme” të vendit, shkrimin e “The Telegraph”.
Në një intervistë për “New York Times” për të shënuar publikimin e librit, James tha se kishte bërë hulumtim të gjerë për vendin ish-komunist, e ka vizituar dy herë dhe ka blerë një fjalor shqip dhe një libër për krimin e organizuar. Ajo shtoi se bashkëshorti i saj kishte mësuar si të bënte ushqime shqiptare.
Seria “Fifty Shades” e Jamesit është shitur në 150 milionë kopje në mbarë botën. Libri i parë, “Fifty Shades of Grey”, e mposhti “Highway Code” për t’u bërë libri më i shitur në Britani që kur kanë nisur të mbahen shënimet. Ndërsa të hyrat nga filmat kanë mbledhur 1 miliardë dollarë.
Ajo e ka përshkruar librin “The Mister” si “tregimi për të Përhiturën e shekullit të 21-të”. Libri i saj i radhës do të jetë një romancë paranormale.