22 Janar, 2020 - 3:00 pm
Seria “The Witcher” zyrtarisht e ka thyer rekordin e Netflixit, për numrin më të madh të shikuesve në sezonin e saj të parë.
Platforma e njohur digjitale ka bërë të ditur se 76 milionë abonues e kanë shikuar këtë seri, brenda katër ditëve të para të debutimit, duke e shënuar hapjen më të madhe të një serie në historinë e Netflixit.
Mënyra se si kjo platformë i llogaritë statistikat e shikueshmërisë, së fundmi ka ndryshuar. Tani, ata i konsiderojnë edhe abonuesit të cilët i kanë shikuar të paktën dy minutat e para të një episodi të serisë ose një filmi. Ndërsa në të kaluarën, Netflixi i kishte numëruar si shikues vetëm abonuesit që e kanë shikuar 70 për qind të episodit ose filmit.
“The Witcher” para se të debutonte për publikun e gjerë, ishte aprovuar për realizimin e sezonit të dytë, duke i sjellë në rolet paraprake aktorët: Henry Cavill, Freya Allan dhe Anya Chalotra. Ende nuk dihet data e lansimit të këtij sezoni të ardhshëm.
Një tjetër seri shumë e ndjekur në këtë platformë është drama, “You”, e cila ka arritur ta tërheqë vëmendjen e 54 milionë abonuesve në katër javët e para të lansimit të sezonit të saj të dytë. / KultPlus.com