19 Shtator, 2022 - 7:45 pm
Realizimi i filmit, “The Woman King”, mori kohë për t’u xhiruar, por aktorja Viola Davis thotë se pritja për këtë projekt ia ka vlejtur.
“Në jemi në qendër të tregimit. Gratë me ngjyrë, me flokë të çuditshme, gratë zezake. Në këtë film nuk ka shpëtimtarë të bardhë. Ne nuk jemi mikesha të ngushta me askënd, e kemi autonominë tonë dhe agjencinë tonë. Ky nuk është vetëm një film aksion, por e sjell edhe një histori të fuqishme. Është një dramë historike dhe na lejon t’i humanizojmë gratë që zakonisht nuk janë humanizuar. Shumë prej aktoreve i kanë përjetuar disa nga të njëjtat gjëra sikurse personazhet e filmit, të ndihen të padëshiruara, jo të adhuruara, të ndihen të lëna anash, por sërish e kanë gjetur forcën brenda vetes për të qenë luftëtare. Është një tregim femëror por edhe i fuqishëm. Për mua, mund të them se është filmi i cili e ka definuar karrierën time”, tha Davis.
“The Woman King” është një film epik dhe aksion i realizuar me një buxhet prej 50 milionë dollarësh. Ngjarja zhvillohet në Afrikën Perëndimore në vitin 1820, dhe flet për një ushtri të grave në mbretërinë Dahomey. Krijuar kryesisht nga gratë dhe me një kastë aktoresh pothuajse të gjitha afrikano-amerikane, “The Woman King” është ndryshe nga çdo gjë që Hollywoodi e ka prodhuar deri më tani.
Krahas Davisit, në film me rol protagonist vjen edhe aktorja nga Afrika Jugore, Thuso Mbdeu, e cila pati vetëm fjalë të mira për kolegen e saj.
“Viola ishte e mahnitshme dhe unë gjithmonë them se kjo ndodhë për shkak të personit që ajo është. Unë pata mundësi të mësoj shumë nga ajo sepse Viola është një person që nuk i kursen këshillat, të ndihmon, të edukon dhe është bujare me të gjithë aktorët. Nga momenti i parë që e kam takuar atë, nuk më la fare hapësirë që të ndihem e frikësuar, sepse më priti me ngrohtësi”.
Viola tha se është krenare që filmi është realizuar, duke treguar se është shumë vështirë që projektet me kastë aktorësh afrikano-amerikanë të zënë vend në Hollywood.
“Nuk kemi mjaftueshëm orë apo ditë në dispozicion, për ta përshkruar se sa e vështirë është ta realizosh një film në Hollywood, i cili përfshinë aktorë të komunitetit afrikano-amerikan, e veçanërisht kur ato janë gra me ngjyrë. Asnjë fjalë nuk mund ta shpjegojë këtë gjë. Dhe do të doja të kishte mikrofona në dhomë. Do të doja të kishte kamera në dhomë që të mund ta shihni se çfarë lufte e përditshme bëhet për t’i prodhuar këta filma, dhe që ta kuptoni se ky projekt është diçka që duhet ta festojmë të gjithë ne”.
“The Woman King” filloi së shfaquri nëpër kinema të premten më 16 shtator./koha/ KultPlus.com