6 Qershor, 2021 - 10:30 am
Tridhjetë vjet pasi u hodhën me makinë në një greminë, Thelma & Louise (Geena Davis dhe Susan Sarandon) do të ribashkohen për të festuar 30-vjetorin e filmit kult të drejtuar nga Ridley Scott dhe fitues i çmimit Oscar për Skenarin më të Mirë në 1992.
Në kinema në 1991, Thelma & Louise i dha shtysë gjithashtu fillimit të karrierës së Brad Pitt, atëherë ende i panjohur.
Dy aktoret, të cilat ndërkohë kanë mbetur mike edhe në jetë, do të përjetojnë momentet më domethënëse të filmit, si edhe ato në prapaskenë, në një shfaqje speciale më 18 qershor në një kinema në Los Anxhelos.
“Kur xhiruam Thelma & Louise 30 vjet më parë, nuk ia kishim idenë se ai lloj ndikimi kulturor do të zgjaste me vite”, tha Sarandon.
“Në atë kohë ishte revolucionare të kishim dy gra në një film, pa qenë armike, kishte edhe argëtim në ekran. Unë mendoj se ishte një nga përparimet më të mëdha. Sot ka kaq shumë aktore të shkëlqyera që bëjnë filma në të cilat gratë nuk janë kundërshtare dhe kanë fuqinë të vendosin fatin e tyre”, shtoi ajo.
Filmi, një manifest i vërtetë për miqësinë femërore, fillimisht do të luhej nga Michelle Pfeiffer dhe Jodie Foster, ndërsa për J.D. (Brad Pitt) u konsiderua edhe George Clooney.
Që nga viti 2016, filmi ka qenë në Regjistrin Kombëtar të Filmit për vlerën e tij kulturore dhe historike. /atsh/ KultPlus.com