13 Shtator, 2024 - 4:58 pm
“This is not a love song” ishte shkas që ekipi i po këtij filmi të vinte nga Kroacia në Prishtinë dhe për të marr pjesë në garën kryesore të PriFest, e që këtë vit po e shënon edicionin e 16-të.
Filmi po garon në këtë kategori me një kastë minimaliste në film, por që ka mbërthyer audiencën për afro 70 minuta para ekranit të madh, ku patën rastin të shohin uljet dhe ngritjet e një çifti, të cilët me lojën e tyre artistike krijuan ndjesinë që të gjithë ishim përreth tyre, mu afër tavolinës, shtratit, korridoreve dhe skenave të tjera poashtu minimaliste në film.
Filmi ishte xhiruar përgjatë kohës së Covidit, dhe në konferencën për shtyp që është mbajtë gjatë ditës së sotme, ekipi realizues i filmit ka potencuar se ky film o do të bëhej në atë kohë, o kurrë.
Andaj edhe e realizuan filmin “This is not a love song” me skenar të Navio Marasovic, Janko Popovic Volaric e Lana Baric, me regji të Nevio Marasovic, kurse në krejt filmin kanë luajtur vetëm dy aktorët, në të njëjtën kohë edhe skenaristë: Lana Baric e Janko Popovic Volaric.
Boshti i këtij filmi ishte marrëdhënia e një çifti kineastësh, të cilët ishin ndarë më herët, po për zhvillimin e një skenari, po për marrëdhënien e tyre kishte bashkuar këtë çift, të cilët shpërfaqnin krizat, dashurinë, mallin, xhelozinë, tentativën për marrjen e meritave, vuajtjet për fëmiun e abortuar, dilemat se nëse do të duhej të rrinin bashkë, tradhtinë dhe shumë elemente të tjera që mund ti kenë edhe çiftet në jetën reale.
Sara dhe Niko sollën krejt këtë dramë të marrëdhënies në çift, që nga ekrani erdhi më shumë se sa natyrshëm.
Duke qenë se ky film është realizuar nga një ekip i vogël, të tre në konferencën e sotme për shtyp kanë shpjeguar se edhe përgjatë shkrimit të skenarit, ata kanë realizuara herë pas here edhe prova, dhe ndoshta sipas tyre, pikërisht kjo metodë e punës ka bërë që të ju ofrojë audiencës atë afrinë me krejt rrëfimin e filmit.
Janë vetëm tre persona rreth bërjes së filmit, por që të tre kanë marrë përgjegjësi shtesë deri te realizimi, dhe aktori Janko Popovic, që për këtë film ka pas edhe rolin e producentit ka thënë se është hera e fundit që ka bërë punën e producentit, pasi që, sipas tij, nuk është punë për të, edhe pse, ai e përshkruan si një përvojë të jashtëzakonshme.
“This is not a love song” premierën botërore e ka pas në Festivalin e Pulës dhe pjesëmarrjen në PriFest po e konsiderojnë shumë të kënaqshme, edhe pse, Lena Baric ka thënë se tashmë është në një pjekuri kinematografike, dhe se në këtë pikë, ajo shijon momentet duke parë reagimin e njerëzve me mënyrën se si e kanë realizuar filmin. / KultPlus.com