28 Shtator, 2024 - 2:00 pm
Në ditën e 5-të të Tirana International Film Festival, në seksionin PerspecTIFF u shfaq filmi Xoftex, prodhim i vitit 2024 nga regjisori argjentinas Noaz Deshe.
Filmi, një prodhim franko-gjerman, trajton temën e emigracionit, por në një mënyrë krejt të pazakontë nga sa kemi parë në filma të tjerë të së njëjtës tematikë.
“Xoftex” rrëfen historinë e Nasser-it dhe miqve të tij që nisën të xhirojnë skeçe satirike e të përgatisin një film horror me “zombie”, ndërsa presin të japin intervistë në zyrën e emigracionit.
Edhe realiteti i kampit i ngjan një skenari horror, me tension në rritje dhe konflikte që mjegullojnë ëndrrat dhe ankthet e protagonistëve.
Një tjetër takim i rëndësishëm me TIFF-in ishte ai i mbrëmjes, në kinema Agimi me filmin e Alessandro Blasetti-t, “Io, io, io…e gli altri”, ku interpreton i mirënjohuri Marcello Mastroianni. Filmi është pjesë e sesionit RetrospecTIFF që vjen në këtë festival si homazh në 100-vjetorin e lindjes së kolosit të kinematografisë italiane./atsh/ KultPlus.com