26 Shtator, 2022 - 12:12 am
Mbrëmja në TIFF nisi me LIVE ACTION, kategori ku konkurrojnë filma të shkurtër, prej të cilëve do të dalë fituesi që do të kualifikohet për Oscars dhe European Film Awards.
Gjashtë filmat, nga Italia, Meksika, Irani, Franca, SHBA dhe Kina, u shfaqën në Kinema Millennium, duke filluar nga ora 18:00. Një orë më pas, në Liceun Artistik “Jordan Misja” nisi një tjetër garë filmash, mes kineastëve të kategorisë “Generation”, në seksionin Panorama, ku përfshiheshin filma të animuar dhe fiksion.
Program i orës 19:30 në Open Air Millennium solli filmin “Leningrad Cowbys Go America” nga regjisori i suksesshëm finlandez, Akis Kaurismaki, të cilit i kushtohet e tërë kategoria RetrospecTIFF (jashtë konkurimit). Fill pas tij, ishte programuar projeksioni i komedisë “Ariel”, të cilin Kaurismaki e xhiroi në 1988.
Ndërkohë, filmi i regjisorit shqiptar, Xhoslin Rama, konkurron në një prej kategorive më të rëndësishme, Feature.
Rama erdhi në TIFF, me një film të metrazhit të gjatë, prodhim i vitit 2022. “Legjenda e bastunit”, ka një kast aktorësh të mirënjohur, si Ndriçim Xhepa, Vasjan Lami, Amos Zaharia, Amri Hasanlliu, Klodiana Keco, Ervin Bejleri e shumë të tjerë. Filmi rrëfen kohën e diktaturës komuniste, kur edhe besimi në Zot, përkthehej si sfidë e hapur ndaj regjimit.
Ky është edicioni i 20-të i TIFF, ndërsa për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, kjo është hera e parë që është “Official Partner”./atsh /KultPlus.com