18 Korrik, 2017 - 2:28 pm
Në natën e dytë të PriFilmFest u shfaq filmi i metrazhit të mesëm “Tisa”. Ky film vjen me regji nga Valter Lucaj dhe skenar të Afrim Muçaj. Filmi trajton ngjarjen e një të riu i cili vendosë të udhëtojë ilegalisht në Francë për ta përmbushur ëndrrën e tij si futbollist.
Ngjarja e filmit zhvillohet ngadalë për të lënë gjithçka në fund. Thelbi qëndronte te momenti kur personazhit kryesor, Benit i vie një ofertë nga Franca për të luajtur si futbollist atje. Përkundër kësaj, Benit nuk i aprovohet viza dhe në pamundësi të marrjes së vizës, ai detyrohet të udhëtojë ilegalisht bashkë me babin e tij, në mënyrë që ta përmbushë ëndrrën e tij, udhëtim ky që përfundon gati në një tragjedi teksa ai tenton ta kalojë lumin.
Ky film i kushtohet viktimave që humbën jetën në lumin “Tisa” në vitin 2009, në përpjekje për ta kaluar kufirin serbo-hungarez. Personazhet kryesorë që luajnë në këtë film janë: Blin Sulejmani, Gani Rrahmani dhe Rina Krasniqi.
Sot, në një konferencë për media pranë Teatrit Kombëtar ishin të pranishëm një pjesë e ekipit të filmit, të cilët treguan detaje gjatë këtij rrugëtimi, shkruan KultPlus.
Fillimisht skenaristi Afrim Muçaj, tregoi se qysh në fillim e kishte të qartë fundin e filmit, dhe madje ka filluar ta shkruaj të gjithë skenarin.
Koha kur ishin realizuar xhirimet, ishte gjatë eksodit kosovar të vitit 2015 dhe meqë filmi kishte një temë të ngjashme, skenaristi tregon që ideja ka qenë të xhiroheshin pikërisht skenat e kosovarëve duke u larguar duke dashur t’i përshtatin skenat, por sipas tij ka qenë e pamundur për shkak të turmave të mëdha.
“Gjatë kohës kur e kemi improvizuar udhëtimin e personazhit Beni, e kemi pasur një ide që t’i xhirojmë njerëzit duke ikur, mirëpo si produksion jemi frikësuar për shkak të turmave dhe mosmundësisë së menaxhimit të tyre”, ka thënë skenaristi Muçaj.
Sa i përket mesazhit të filmit, Muçaj ka thënë se mesazhi kryesor ka qenë përpjekja e të rinjve për të dalë jashtë vendit dhe për t’i realizuar ëndrrat e tyre. “Mesazhi kryesor është ëndrra e të rinjve në një vend të izoluar. Çirrjet për të dalë jashtë këtij vendi”, ka shpjeguar skenaristi.
Ndërkaq Blin Sylejmani, personazhi kryesor, ka treguar për eksperiencat e tij në film, dhe ka shtuar se ka qenë hera e parë që ka luajtur në një film profesionist. Ai tregon në veçanti për skenën e fundit, dhe kushtet në të cilat kanë xhiruar. “Dy ditë përpara xhirimeve, bashkë me regjisorin dhe producentin, kemi shkuar te lumi për ta thyer akullin në mënyrë që të mund të hynim me anije e më pas edhe unë. Tri herë më është dashur të hyjë në ujë deri sa i kemi realizuar xhirimet”, ka treguar Blin Sylejmani rreth eksperiencës gjatë realizimit të filmit.
Kurse aktorja Rina Krasniqi ka thënë se ka qenë një privilegj për të pjesëmarrja në këtë film.
“Pjesëmarrja ime në filmin “Tisa” ka qenë një privilegj i madh për mua pasi që isha në semestrin e parë të vitit të parë gjatë studimeve në Akademinë e Arteve. Ka qenë një fat jashtëzakonisht i madh për mua që isha pjesë e filmit”, ka thënë krejt për fund aktorja Krasniqi. Drenushë Morina. / KultPlus.com