26 Korrik, 2019 - 8:00 pm
Sony e publikoi trilerin e parë për dramën biografike “A Beautiful Day in the Neighborhood” në të cilën fituesi i dyfishtë i çmimit Oscar, Tom Hanks, e luan prezantuesin e dashur televiziv, muzikantin, producentin dhe priftin amerikan Fred Rogers.
Fred Rogers, i njohur si Mister Rogers, luhet nga Tom Hanks, ndërsa filmi e sjell historinë e vërtetë për miqësinë e tij me gazetarin cinik Tom Junod (Matthew Rhys) i cili ishte angazhuar ta bënte një artikull për prezantuesin e preferuar shumëvjeçar televiziv. Dy njerëz plotësisht të panjohur ngadalë do të bëhen miq, ndërsa Rogers pak nga pak do t’i japë disa këshilla dhe mësime Junodit se si të mos jetë aq cinik dhe të përqendrohet në mirësjellje dhe dhembshuri. Miqësia në fund do të ndikojë pozitivisht tek të dy. Edhe pse filmi bën fjalë për Rogersin, është e rëndësishme të theksohet se ai nuk është protagonisti kryesor, por kjo është historia se si ai ka ndikuar në njerëzit rreth tij.
Filmi bëhet me regji të Marielle Heller sipas skenarit të Mike Fitzerman-Blue dhe Noah Harpster. Në rolet e tjera shfaqen Susan Kelechi Watson, Enrico Colantoni, Wendy Makkenam, Tammy Blanchard dhe Chris Cooper.
Nga projektet e Rogers, ia vlen të përmendet Mister Rogers’ Neighborhood, një nga emisionet më të njohura televizive për fëmijë të të gjitha kohërave i cili daton nga vitet 1960 kur filloi me transmetimin në CBC me titullin “Misterogers”. Në vitin 1966, emisioni u bë me një shtëpi të re në Shtetet e Bashkuara ku e mori emrin e parë të lartpërmendur. Emisioni u shfaq deri në vitin 2001.
“A Beautiful Day in the Neighborhood” do të mbërrijë në kinematë amerikane më 22 nëntor. /KultPlus.com