23 Tetor, 2020 - 5:28 pm
Më 23 gusht të 2013-ës, Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit bëri me dije se ishte konfirmuar titulli i dytë nga fondi filmik shqiptar për t’u restauruar pranë laboratorit të Qendrës së Konservimit të Pasurive Audiovisuale pranë Bibliotekës së Kongresit Amerikan (LOC Audiovisual Conservation Center) “Tomka dhe shokët e tij” (Xhanfise Keko, 1977). Ky projekt ishte pjesë e programit të tyre të diplomacisë ndërkombëtare për të ndihmuar arkivat në rrezik në të gjithë botën.
Sot ky projekt është bërë një realitet dhe institucioni i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit për promovimin e kinematografisë shqiptare në Evropë. “Tomka dhe shokët e tij” pas restaurimit në vitin 2014 nga Biblioteka e Kongresit dhe Projekti i Kinemasë Shqiptare, vijon me shfaqjen në platformën prestigjioze amerikane Turner Classic Movies (TCM).
Në datë 20 tetor ora 21:15 ekrani i TCM foli shqip dhe 40 milionë shikues në të gjithë botën patën mundësi të ndjekin një film shqiptar me subtitrim në anglisht. Kjo është hera e parë që një platformë televizive e nivelit të TCM-së transmeton një film shqiptar dhe kjo u arrit edhe për faktin se versioni i restauruar i këtij filmi arrin të përmbushë kërkesat teknike të teknologjisë së sotme digjitale si dhe nivelin e përkthimit dhe subtitrimit në anglisht.
Transmetimi i filmit “Tomka dhe shokët e tij” ishte pjesë e programit Woman Make Film/ Gratë Bëjnë Filma të TCM-së kushtuar regjisoreve gra.
Në këtë program u përfshinë 1 dokumentar dhe 100 filma të realizuar nga 100 kineaste nga 6 kontinente, 44 shtete dhe në një periudhë kohore prej 12 dekadash. Gjithashtu, regjisorja Xhanfise Keko u shpall regjisorja e javës nga TCM si dhe iu kushtua asaj një artikull nga Sean Axmaker. /atsh/ KultPlus.com