17 Korrik, 2017 - 2:48 pm
Rizvanolli, i cili është në vlugun e punëve edhe në një serial të Holandës, ku është pjesë e disa episodeve, ka përmendur për filmin “T’padashtun”, se kritikat negative që ka marrë nga disa njerëz është tempo e ngadaltë e filmit, por, sipas tij, kjo tempo ka qenë pikërisht qëllimi i tij, që dalë ngadalë të shkoj edhe deri te zbërthimi i filmit, shkruan KultPlus.
Me një tempo jo të shpejtë, me pak dialog, me përsëritje të skenave dhe jo me shumë dramë, është përcjellë mesazhi i filmit “T’padashtun”, me skenar dhe regji të Edon Rizvanollit, film i cili ka pas premierën kosovare, pikërisht në mbrëmjen e së enjtes, në hapjen e PriFest, pas premierës botërore në Karlovy Vary Festival.
Edhe audiencës kosovare iu desh të përballej po me këtë tempo të ngadaltë, deri te zbërthimi i krejt filmit, pikërisht në pesë minutat e fundit të kësaj drame, që është realizuar nëpërmjet lojës së Adriana Matoshit dhe Jason de Ridder, në rolet kryesore.
Filmi i xhiruar në Holandë e Kosovë, përpos lokacioneve ku ishte xhiruar filmi, zhvillimet Kosovë- Holandë, vëreheshin edhe nëpërmjet anës regjisoriale.
Një dramë jo e lehtë, me një mesazh shumë të fuqishëm, sidomos për pjesën ballkanike, por e sjellë ftohtë nëpërmjet lojës së aktorëve, në përjashtim të skenës së fundit, ku audienca përjeton për pesë minuta krejt dramën e Zanës, të sjellë nga Adriana Matoshi.
Për filmin “T’padashtun”, film i cili prekë dhunimet e grave të Kosovës nga ana e serbëve, për sfidat e gruas së dhunuar, e përzënë edhe nga familja e saj, për jetën e saj në Holandë dhe sjelljen në jetë të djalit të saj, Albanit, fryt i dhunimit nga ana e serbëve, për dashurinë e djalit të saj, pikërisht me një vajzë serbe, vetë Edon Rizvanolli, skenarist dhe regjisor i këtij filmi është përgjigjur edhe para gazetarëve, në konferencën e sotme, që është mbajtur po në kuadër të PriFest.
Duke u shprehur i kënaqur se pikërisht filmi i tij ka hapur edhe edicionin e sivjetmë të këtij festivali, Rizvanolli ka thënë se mbrëmja e së enjtes i ka sjellë një emocion të veçantë, për faktin se filmi është shfaqur edhe para familjarëve dhe miqve të tij.
“Gjithçka ka shkuar mirë dhe me rregull, dhe në fund më kanë ardhë edhe komente shumë të mira, natyrisht se ka pas edhe kritika aty këtu, dhe edhe ato kanë qenë të mirëseardhura, por në përgjithësi, njerëzit kanë qenë jashtëzakonisht të kënaqur”, ka thënë fillimisht Rizvanolli, i cili në Holandë bën edhe jetën e aktorit.
Edhe vetë Rizvanolli është shprehur se sipas përshtypjeve të para, ka mësuar që audiencës kosovare i ka pëlqyer më shumë pjesa ku janë realizuar xhirimet në Kosovë, duke përmend edhe një detaj tjetër, që sipas informatave të tij, filmi në mbrëmjen e së enjtes, është përcjellë edhe në Sheshin Zahir Pajaziti, nga rreth 1300 persona.
Rizvanolli, i cili është në vlugun e punëve edhe në një serial të Holandës, ku është pjesë e disa episodeve, ka përmendur për filmin “T’padashtun”, se kritikat negative që ka marrë nga disa njerëz është tempo e ngadaltë e filmit, por, sipas tij, kjo tempo ka qenë pikërisht qëllimi i tij, që dalë ngadalë të shkoj edhe deri te zbërthimi i filmit.
Krejt në fund, ai ka zbuluar edhe pikënisjen e këtij filmi, ku sipas tij, krejt ky film ka nisë në bazë të një fotografie të një çifti, të cilët janë duke qëndruar në maje të një kulmi, dhe kuptojnë që janë gjysmë vëlla e motër.
Filmim “T’padashtun”, pritet të jetë pjesë e festivaleve të ndryshme ndërkombëtare. Ky film është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Fondi i Filmit Holandez, Komuna e Gjakovës dhe Komuna e Prishtinës. / KultPlus.com