12 Shtator, 2017 - 6:13 pm
Filmi i metrazhit të shkurtër ‘Tradhti me letra’ i regjisorit Valmir Tertini do të shfaqet në edicionin e 8-të në ‘BBB Short Film Festival 2017’, shkruan KultPlus.
Këtë vit Balkans Beyond Borders (BBB), së bashku me Inter Alia, sjellin filma të Ballkanit nga brezi i ri i filmave ballkanikë dhe fryma ballkanike në zemër të Evropës, në Bruksel.
Filmat e shkurtër nga Sllovenia në Greqi dhe nga Shqipëria në Turqi do të prezantohen në “Art Base” për tre net, 13 deri më 15 tetor, data këto sa do të zgjasë festivali.
“Tradhti me letra”, flet për Meritën e cila ka pranuar që Azemi, burri i saj të martohet me një grua gjermane sa për t’i bërë letrat. Merita dhe Azemi kanë një vajzë. Pas katër viteve, Ana gruaja e Azemit insiston të vijë në Kosovë për të parë se ku ka jetuar burri i saj. Azemi, Meriten e prezanton si motrën e tij kurse gocën si mbesë të tij. Atë natë, të gjithë flenë, ndërsa Merita nis të qaj te pragu i derës, përballë dhomës së Azemit dhe Annës. Merita aty ndjenë tradhtinë e hapur.
Ky film i regjisorit kosovar, ka temën e njëjtë me atë të festivalit. Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Albulena Kryeziu, Alexandra Waluk, Fisnik Zeqiri, Granit Shala, Molikë Maxhuni dhe Nexhip Nexhipi.
Filmi që zgjat rreth 19 minuta, deri më tani ka fituar 9 çmime. / KultPlus.com