25 Shtator, 2020 - 7:26 pm
Midis dy luftërave, kur bota po përjetonte lirinë e ekranit, kur kinemaja amerikane, franceze dhe italiane po eksploronin… në trendet e reja të gjuhës së filmit, befas zbulohen tre emra shqiptarësh që shkelën të parët në kinemanë evropiane dhe atë hollivudiane; Aleksandër Moisu, Kristaq Antoniu dhe Eleni Qirici i japin zë historisë sonë kinematografike, ndërsa në Shqipëri shënonte xhirimet e para.
Në “paqen” midis dy luftërave botërore kinemaja amerikane, franceze e ajo italiane u bënë kronikat e kohës edhe për shqiptarët…Këtu sapo shënoheshin xhirimet e para filmike, dhe kompanitë po hapnin një e nga një kinematë. Kur xhirimet nuk merreshin përsipër nga shteti dhe as nga kompani prodhuese por nga njerëz që kishin prirje dhe vullnet individual, në këtë vend të Ballkanit, për herë të parë dëgjohet të flitet për shqiptarë të famshëm, sukses evropian apo botëror. Kamerat e vendosura për herë të parë në duart e shqiptarëve kërkonin figura dhe ndikime nga aktorë të mëdhenj të filmit për të luajtur një rol të fuqishëm në jetën kulturore kinematografike të shoqërisë shqiptare.
Mes viteve 1924 deri në vitin 1939, disa emra u shndërruan në emblemë të kulturës shqiptare jashtë vendit. Aleksandër Moisiun dhe Kristaq Antoniun po e ndiqte një emër i ri, në moshë mjaft të vogël, quhej Elena Qirici, e cila do të kthehej nga Australia ku lindi, në vendin e origjinës e të niste karrierën e saj në Korçë. “…Janë vite të konsolidimit të jetës kulturore shqiptare të mirëfilltë, gjallërimi i jetës koncertale dhe veprave të letërsisë moderne, pushtojnë ekranin yjet e kinematografisë botërore. Në periudhën midis dy luftërave botërore, ndihet ndikimi i kinemasë amerikane, franceze dhe italiane. Po kështu shqiptarët ndjekin kronikat e kohës, veçanërisht ato të xhiruara në Shqipëri. Befas në ekran, pranë emrave botërore shqiptarët kanë zbuluar edhe praninë e aktorëve shqiptarë që luajnë në filma të huaj”, shkruan Natasha Lako, nga kjo kronikë në librin e saj me ese “Energjia filmike”.
Moisiu ishte një nga aktorët më të mëdhenj në skenën e viteve ’30, duke u shfaqur në filmin e parë evropian me zë, kur brenda kësaj kohe një djalosh simpatik shqiptar i pajisur me cilësi të rralla artistike, u duk në qiellin e Rumanisë -shkruhej në vitin 1931 për Kristaq Antoniun.
Ndërsa aktorja tjetër që ka impresionuar publikun shqiptar është Elena Qirici. Siç është bërë e njohur tashmë, ajo është vajza e parë shqiptare që del në ekranin e madh, që e ka filluar jetën e saj artistike në skenat shqiptare. Pavarësisht gjendjes ku ndodhej Shqipëria dallon fakti i bashkëjetesës së shqiptarit me kinemanë ku edhe nisën të dalin karakteret e para.https://zeri.info/inarticle.html
“Me gjithë përpjekjet për çeljen e syrit kinematografik, pavarësia e shkurtër shqiptare, nuk mund të ofronte as mjete, as mundësi për t’u shprehur në imazhin shqiptar. Ishte politika vetizoluese e periudhës së diktaturës komuniste, që kërkoi që Shqipëria të plotësonte të gjithë nevojat e veta në një ekonomi të mbyllur, ku shqiptarët u vunë të prodhonin vetë gjithçka, duke përfshirë edhe filmin shqiptar”, shprehet Lako.
Moisiu, në filmin e parë evropian me zë
Përgjatë periudhës së lulëzimit të ekranit të lirë botëror, në Shqipëri shfaqen filma të aktorit të madh me orgjinë shqiptare, Aleksandër Moisiut, i cili në kohën e Gjermanisë naziste dërgon kërkesën për të marrë nënshtetësinë shqiptare. Në vitin 1902 Moisiu shkon të punojë në teatrin gjerman të Pragës dhe nga viti 1904 punon në Berlin, ku aktori bëhet dhe miku i regjisorit të madh Reinhard. Turnetë e tij në të gjithë skenat e Evropës dhe të Amerikës e shpallën si një nga aktorët më të mëdhenj të skenës së viteve ’30. “I shquar për kombinimin e zërit të tij dramatik, si dhe për temperamentin e tij ekspresiv, A. Moiusiu ka luajtur në skenë figura të kryeveprave dramatike botërore si Hamletin e Shekspirit, Fedjan e “Kufomës së gjallë” të Tolstoit, rol që shënon zhbirime të thella brenda shpirtit të njeriut. Sigurisht që ky hero i skenës e ka sa të lehtë, aq edhe të vështirë të hyjë në fushën e re të betejave kinematografike”, veçon kineastja Natasha Lako kur bën historinë e kinemasë në Shqipëri në botimin e saj “Energjia filmike”.
Këtë talent të rrallë të skenës e fton në realizimet e filmave të parë evropian me zë. Në këtë profil Moisiu luan në filmin e parë evropian me zë të shtëpisë filmike gjermane “Das Scharce”, që realizohet gjatë viteve 1912-1913 dhe pas tij pasojnë “Sytë e Ole Brandis”, realizuar në vitin 1914, nga Deutsche Bioskop me regjisor Stellan Rey, “Kulizzenzauber Barckerss” në vitin 1915, “Biri i tij i vetëm”, regjisor Gartner, po në vitin 1915 tre filma të regjisorit Wellin, “Pique dame”, 1918, “Unaza e tre dëshirave”, 1918; “Ndërmjet vdekjes dhe jetës” 1920. Më pas Aleksandër Moisiu luan në filmin “Martesa e figaros” të regjisorit Mac (1920), si dhe “Dishepulli i djallit”, realizuar nga shoqëria amerikane Warner Bross, (1929), “Llozha e mbretit”, e regjisorit Bryan foy (1929), “Lorenc de Medici” të regjisorit Brignone, 1935. Sipas gazetës gjermane Allemagne Zeitung të 14 qershor 1929 thuhet se Aleksandër Moisiu interpreton Hamleton dhe deklamon në anglisht monologun “to be or not to be”.
Kristaq Antoniu, fama e panjohur e “Hajducit”
Nuk i kushton shumë kohë, që koleksionisti Niko Kothere të jetë i gatshëm për të na zbuluar portretin origjinal të aktorit dhe këngëtarit Kristaq Antoniu. Pyetja e tij se në ç’kontekst na nevojiten fotot mban kuptimin e kësaj figure, që historia tashmë e ka futur në aktorët e parë shqiptar që hyn në ekranin evropian. Janë tre foto të rralla, origjinale të Antoniut, skanime të papunuara ku Kotherja na shpjegon, ashtu siç duket, se në njërën prej tyre është autografi i shënuar nga vetë aktori. Antoniu këngëtar, fillimet e karrierës janë si aktor. Një tjetër profil, imazh shqiptar që shfaqet në ekranin rumun dhe atë botëror.
Kristaq Antoniu lindi në vitin 1902 në një familje emigrantësh shqiptarë në Bukuresht dhe karrierën kinematografike e filloi kur ishte student i shkollës Mimo-dramatik. Roli i tij i parë realizohet në filmin rumun “Gjynahu i parë”. “Ka pak kohë që një djalosh simpatik shqiptar i pajisur me cilësi të rralla artistike u duk në qiellin e Rumanisë”, shkruan revista Minerva e vitit 1931. “Brilantissimo”, njoftojnë gazetat e kohës për interpretimin e përbashkët të Marcella Santinit dhe Kristaq Antoniut në operën “Kavaleri Rustikane” që shfaqet në Romë. Pas realizmit të filmit “Majori Mura”, 1927, si dhe dy roleve kryesore në filmat “Komiti” (Hajduci 1920) , e “Cokoj” (1931) , Kristaq Antoniu kthehet në Shqipëri ku vazhdon aktivitetin e tij si këngëtar lirik. “Në realizimet e figurave kryesore të filmave të luajtur prej tij, ndihet një ekspresivitet dhe një lojë elegante, ku aktori përpiqet të shprehë një botë të pasur shpirtërore, plot të papritura. Kristaq Antoniu ka një sy shumë ekspresiv do të thoshin shqiptaro-ballkanik…”, shkruan kineastja, Lako. Ai u bë një yll i filmit jo vetëm në Rumani. Mbas disa vitesh me një veprimtari intensive në kinematografi, Antoniu kreu një kurs specializimi në qendrën eksperimentale të kinemasë në Romë. Ndërsa në vitin 1939 luajti role në dy filma, të cilat fatkeqësisht nuk i përfundoi dot. Ai mbajti lidhje me shkrimtarin e njohur Viktor Eftemiu, që e kishte fis nga nëna. Në vitin 1940 bën një tjetër kurs specializimi, tashmë në kanto, po në Itali, në Firence. Pas përfundimit të kursit ai regjistroi në Itali në shoqërinë Columbia 15 këngë shqiptare, këngë popullore dhe krijime të kompozitorit Pjetër Dunga, i cili ishte edhe pianist, të cilat patën mjaft sukses.
Qirici, aktorja e parë në Hollivud
Nën kujdesin e prindërve, balerina dhe aktorja Elena Qirici pati fillimisht një karrierë modeste brenda Shqipërisë. Me këtë nuhatje, prindërit e saj e dërguan në Vjenë, ku u regjistrua në një shkollë dansi. Brenda tri muajve artistja kishte arritur të grumbullonte mjeshtëri, aftësi dhe besim duke e ftuar në skenat e Vjenës. Në këtë moment filluan të kërkonin interes mjaft qarqe artistike, kritika dhe shtypi vjenez. Shoqëritë e teatrove nisën ta kërkonin po ashtu, duke parë tek Elena “një burim të madh fitimesh”. Janë vitet ’30. Pikërisht në një nga këto mbrëmje, iu shfaq oferta e parë, nga një shoqëri italiane shumë të njohur për kohën, “Fratelli Schwarz”, të cilët nënshkruan një marrëveshje gjashtëmujore me teatrin revistë “Bartoldissimo”.
Në këtë ansambël bënin pjesë 80 artiste, por Elena e vogël u bë protagoniste, duke i siguruar sukses shoqërisë që e kontraktoi. Turnetë në Itali me këtë trupë tërhoqën vëmendjen e shtypit të kohës, duke u kushtuar shkrime të gjata dhe ndër më të spikaturat ishte ajo me cilësinë ‘La picola grande diva” (vogëlushja diva e madhe). Kaloi kufijtë italianë duke u angazhuar në shoqërinë “ABC” të Parisit, duke interpretuar në krah të artistes së njohur Maria Dubas, për një periudhë të gjatë kohe. Nga skena parisiene shoqëritë kinematografike amerikane që udhëtonin nëpër botë për të “peshkuar” talentet, yjet për Hollivudin, u befasuan kur ndeshën shqiptaren Elena Qirici. Artistja u përgjigjet pozitivisht, duke u angazhuar tashmë në një prej shoqërive më të mëdha kinematografike amerikane “Metro Goldwin Mayer” (MGM). Brenda vitit, Elena xhiron në Hollivud dy filma, në role kryesore. Studiuesi Hoxha njofton se atje ajo filloi edhe një shkollë të edukatës fizike, dhe të kërcimit që ishte brenda ansamblit të shoqërisë filmike MGM, duke i dhënë më shumë potencë e mjeshtëri profilit të saj artistik. Në këto lartësi, si balerinë e këngëtare, akrobate me cilësi të larta aktrimi, Elena u vlerësua nga shtypi amerikan duke e barazuar me të famshmen balerinën amerikane të kohës Eleanor Powell.
Në vitin 1942, Elena rikthehet në Evropë, për filmin “Women of the day”, për të interpretuar së bashku me aktoren amerikane, Katherinë Hepburn. Në gjysmën e dytë të viteve ’80, janë përpjekjet e para për të shkruar profilin artistik të kësaj artisteje, dhe pas 90-s vjen më e zgjeruar biografia pothuaj e gjerë, por edhe enigmatike e Elenës, kur ndër të tjera thuhet se babai i saj, Vasili, përpiqej ta mbante larg mjediseve të elitës amerikane dhe e këshillonte që shokun e jetës ta zgjidhte mes emigrantëve shqiptarë që jetonin dhe punonin në atë kohë në Amerikë… Pavarësisht kësaj, vite më vonë, më 1954 ajo shkon në Australi, në vendin ku kishte lindur nëna e saj. E tërhequr nga skena, pikërisht në momentin kulmor të këtyre sukseseve, në vitin 1965 kur kishte fituar aq emër e famë e lidhi jetën me Gerard Ford, djalin e Presidentit të mëvonshëm të Amerikës, John Fordit./mapo.al/ KultPlus.com