Trebicka: Disa bëjnë filma e bëhen regjisorë vetëm sepse kanë para

28 Janar, 2020 - 7:20 pm

Aktori i mirënjohur shqiptar Alfred Trebicka, i ftuar në një prej emisioneve televizive ka komentuar mbi filmat e kohëve të fundit në Shqipëri, duke mbajtur një qëndrim skeptik. Trebicka shprehet se, disa njerëz që vijnë nga hiçi, bëjnë filma, bëhen skenaristë, regjisorë apo aktorë, vetëm sepse kanë disa mjete financiare.

Të tillë persona, ai i quan sharlatanë dhe shprehet se, për të bërë një film nuk është e mjaftueshme që të kesh mjete financiare, por nivel i lartë arsimor, kulturor e artistik.

Trebicka nuk shprehet me emra konkretë, por kinematografia shqiptare është ‘pushtuar’ kohët e fundit nga filmat e Ermal Mamaqit dhe Bes Kallakut.

Pjesë marrë nga intervista:

  • Pse Alfred Trebicka, mund të refuzojë një rol?

Alfred Trebicka: Refuzuar domethënë, unë mund të them se në princip nuk e dua, nuk e kam refuzimin. Por, sigurisht që kam refuzuar. Kam refuzuar kur nuk më ka bindur, në rastin e filmit, skenari dhe regjisori.

Kjo ka ndodhur në disa raste, me regjisorë të rinj. Kanë ardhur me dëshirën e mirë për të bashkëpunuar dhe i kam pranuar.

Për shembull, kam bashkëpunuar me Ergys Metën, që e vlerësoj në kinema ose Joti Heillin. Nuk është se, nuk njoh refuzimin. Por, kur marr një skenar që nuk më duket skenar dhe shoh që personi që do ta ekzekutojë, sipas tij, nuk ka atë formimin elementar të një njeriu. Këtu, po ndodh një fenomen i pakëndshëm, në atdheun tonë të dashur. Po dalin njerëz pa asnjë lloj formimi pas asnjë… edhe thonë që jam kineast. Ore, kineast është fjalë shumë e madhe! T’i thuash dikujt që je kineast, duhet ta pyesësh veten mirë. Ka një mori komponentësh domethënë, që duhet t’i ketë një person për t’u quajtur kineast.

  • Ka shumë njerëz që vetëshpallen

Alfred Trebicka: Po, vetëshpallen, se nuk dua të përmend edhe emra tani, se s’është etike. Se edhe romanët e kam thënë që nuk dua të përmend emra. Po i shohim dita-ditës, një film nga ky, një film nga ai. Edhe ti thua “ore, kush është ky që bën skenarin vetë, bën regjinë vetë, bën edhe rolin vetë?”.

  • Është e pamundur domethënë?

Alfred Trebicka: Të paktën nga historia e kinemasë sa jam arsimuar, sa jam kontakuar, them me vete nëse ka art më të vështirë për t’u ekzekutuar është arti i kinemasë. Është një art kompleks, është një art që s’ka të bëjë vetëm me, jo se është i lehtë kinemaja. Por ka të bëjë me filozofi, mendim, janë një mori komponentësh. Dhe një njeri që vjen nga asgjëja dhe thotë që do bëj një film.

  • E keni fjalën, për filmat që prodhohen kohët e fundit në Shqipëri?

Alfred Trebicka: Edhe vetëshpallen pastaj njerëzit, thonë “unë jam regjisor, jam kineast, se unë e njoh tregun”. Këtu janë keqkuptuar njerëzit. Se të bërit film, nuk është vetëm çështje tregu. Ka kapur tregun ky, di se çdo tregu. Cili treg? Cili treg? Për cilin treg flasin? Unë si profesionist, do t’i quaja sharlatanë. Sharlatanë të këtij arti të madh, siç është kinemaja. Trumbetojnë, kanë disa mjete financiare që unë as nuk hyj në ato dhe as më intereson fare. Mund të kesh aftësinë për ta gjetur këtë, por deri këtu. Në nivelin profesional: Ndalu Beg, se ka hendek!

  • Domethenë, jeni skeptik me këta?

Alfred Trebicka: Jam skeptik dhe për njëfarë kohe, kam heshtur, por ka rënë një moment që është e pamundur sepse janë bërë si gripet apo viruset e frikshme. Dhe kur dëgjoj brezin e ri që flasin në vijimësi, filmi i këtij, filmi i këtij, them: O zot, ku po shkojmë, ku po na çon kjo rrugë?

Kam dëgjuar që kanë mbetur të zhgënjyer pasi kanë shkuar për ta parë dhe u kam thënë, nxirrini vetë konkluzionet, pasi kur të dalë trap, të kuptosh çfarë është. /Konica.al//KultPlus.com

Të ngjajshme