Tregimet e refugjatëve dhe racizmi modern u shpalosën në ekranin e DokuFest

10 Gusht, 2017 - 6:55 pm

Sarandë Selimi
‘Sans le Kosovo’, ‘Ethnophobia’, ‘The Remigrant’ dhe ‘ATA’ ishin katër filmat e mbrëmjes së gjashtë të edicionit të 16-të të DokuFest, i cili nisi të premten me 4 gusht. Ky festival i njohur si më i madhi në rajon, po vazhdon çdo ditë të sjellë premiera rajonale e botërore përmes programeve të tij të ndryshme. Filmat që u shfaqën të mërkurën mbrëma, i takojnë kategorisë kombëtare, me dy regjisorë nga Shqipëria e dy nga Kosova. Duartrokitje e audiencës që ishin në një numër shumë të madh nuk munguan ndërsa erdhën shumë tema interesante duke nisur nga rrëfimi personal e deri tek trillimi që duket gjithmonë bukur në pamje vizuale.

Dea Gjinovci sjellë rrëfimin e babait të saj përmes ‘Sans le Kosovo’
Ajo udhëtoi me të atin i cili ishte larguar në moshën 19 vjeç nga shtëpia e tij për në mërgim, duke mos u kthyer as atëherë kur më të dashurit e tij kishin ‘nevojë’ për të. Familja e tij u vra në luftën e fundit në Kosovë e krejt çka ai gjeti kur u kthye ishin vetëm varret e tyre. Përmes dhembjes së shpirtit, Dea Gjinovci solli babain e saj në ekranin e madh të Doku Plato.
“Është e rëndësishme ta shfaqi këtë film këtu sepse është eksperiencë intime, po ashtu edhe për distancën. Aq shumë njerëz e kanë braktisur Kosovën për arsye të ndryshme dhe unë doja ta eksploroja atë kohë dhe gjeneratën tjetër që janë larguar nga Kosova, të cilët po mundohen të rindërtojnë ato lidhje”, pohoi Dea, e cila e pati më të lehtë komunikimin me audiencën në gjuhën angleze.
Ajo vazhdoi tutje të tregonte se ka qenë shumë e rëndësishme për të ta tregojë historinë e babait të saj, sepse edhe pasi që e kishte lënë Kosovën, ai edhe më tutje ka qenë i dashuruar në të.
“Ka edhe aq shumë dhimbje e vuajtje që e kanë detyruar të dalë në azil, për shkak të asaj çfarë kishte ndodhur në vend. Prandaj ky film ka për qëllim që t’i rindërtojë ato lidhje. Kam lindur në Gjenevë, por jam shpërngulur në Londër në moshën 15 vjeçare. Mendoj se nuk është e njëjtë të migrosh tani, në krahasim se si ishte para 40 vitesh. Në atë kohë nuk ka pasur telefonë për të kontaktuar me familjen është dashur të dërgojë letra”, u shpreh regjisorja Gjinovci.



‘Ethnophobia’ përmes filmit të animuar

Gjëra të krijuara nga plastelina, në një film të animuar 14 minutësh i morrën fiks katër vite punë regjisorit Joan Zhonga. Racizmi ishte ajo çka e karakterizoi këtë film, i cili shumë qartë tregon një anë e cila është ende shumë aktuale tek të gjithë njerëzit në botë. Joan Zhonga, përveç që trajton një temë shumë serioze me anë të filmit të animuar, ky projekt i tij në Kino Plato u përcoll edhe me buzëqeshje nga audienca, pasi që, ‘personazhet’ e krijuara nga Zhonga ishin shumë karakteristik e me plot ngjyra gjersa një stuhi bie mbi ta dhe i bën gjithë të njëjtë.

Nga ajo kohë të gjithë e shohin se janë të njëjtë, vetëm ngjyrat i dallojnë.
“Rëndësi ka që është një film shqiptar. Edhe ju e kuptoni së sa kohë ka marrë, pra janë 2 vite xhirim, dhe gati 4 vite për përfundim, pra 4 vite për 14 minuta. Titulli është ‘Ethnophobia’, zgjodha një fjalë ndërkombëtare që kuptohet edhe në shqip. Atë që doja të thoja është se racizmi në 20 vitet e fundit është bërë një plagë për gjithë botën, dhe problem i madh që krijohet te kjo është se shohim te tjetri gjërat që na ndajnë e jo ato që na bashkojnë. Doja të kapja këtë temë dhe nuk ishte aq e thjeshtë që në këtë teknikë të shtjelloja këtë temë”, u shpreh regjisori Joan Zhonga, i cili përmes tre ngjyrave bazë të pikturës gjeti çelësin e zhvillimit të filmit.

‘The Remigrant’ solli për herë të parë Astrit Alihajdarin në rolin e regjisorit
Erdhi premierë botërore mbrëmë në DokuFest. Edhe kasta e aktorëve ishin aty, gjë që e madhështoi edhe më shumë këtë premierë. Astrit Alihajdari i cili deri mbrëmë në audiencën shqipfolëse është njohur si aktor, erdhi si regjisor i një filmi 18 minutësh duke shpalosur temën e migrimit. Një familje kthehet nga Diaspora me fëmiun e tyre të vetëm – Besnikun (Florist Bajgora).
Ky film solli në rolet e tjera Leze Qenën, Ilire Vincën dhe Veton Osmanin. ‘The Remigrant’, flet për shumë tema në të njëjtën kohë. Migrimi, harmonia në familje, edukimi i fëmijëve.
“Nuk është rrëfim direkt personal por mund të themi që pak më prek dhe mua. Ma merr mendja që nuk ka familje në Kosovë që nuk ballafaqohet me këtë temë. Është ndryshe kur shkon diku jashë nëse vendosë vullnetarisht, e ndryshe kur je i detyruar. Ka qenë mundësi e mirë që ti trajtoj edhe temat e tjera që i pamë dhe po e shoh që nuk është e lehtë të bëhet film por jam munduar që t’i fus të gjitha ato që më preokupojnë”, theksoi Alihajdari .
Ky është filmi i parë ku Alihajdari vjen si skenarist dhe regjisor.

‘ATA’ sjellë jetën e Adit dhe Sonit, barinjë të vegjël
Flmi i Emiljo Leka, film 27 minutësh solli jetën e dy fëmijëve të vegjël, njëri 12 vjeç e tjetri 9 vjeç. Soni merrte tinëzisht cigare nga i ati për t’ia dërguar Adit, që ky i fundit t’i tregonte atij se çfarë është kompjuteri, Ipadi e teknologjitë tjera që fëmijët sot i kanë. Ata dy nuk i kishin. Shihnin një gjuetar teksta gjuante lepuj dhe ëndërronin të bëheshin si ai. Tregimi nuk përfundon këtu. Gjuetari vret babain e Sonit pa qëllim, gjersa ai thurte tokën deri aty ku prekte pjesën e babait të Adit.
Emiljo Leka nuk qe i pranishëm mbrëmjen e së mërkurës që të flasë më shumë për filmin, por padyshim që edhe ky film u duartrokit shumë nga publiku, sidomos loja e dy fëmijëve të vegjël.

Të ngjajshme