Trekëndëshi i ‘Martesës’ do ta ketë premierën britanike në Londër

17 Mars, 2018 - 12:24 pm

Filmi “Martesa” me regjisore Blerta Zeqirin do të ketë premierën britanike në Londër në kuadër të Festivalit “London East End Film Festival” më 21 prill, në ora 21:00, shkruan KultPlus.

Filmi “Martesa”, që u përkrah financiarisht nga Qendra Kinematografike e Kosovës (QKK), flet për një trekëndësh dashurie pranë dhe gjatë një martese. Treshen e personazheve kryesore të filmit me skenar të Blerta Zeqirit dhe Keka Kreshnik Berishës e interpretojnë Alban Ukaj, Adriana Matoshi dhe Genc Salihu. E gjithë ngjarja shtjellohet, para dhe gjatë martesës së Bekimit me Anitën, e cila nuk është në dijeni se Bekimi është ende në dashuri me shokun e tij më të mirë, Nolin.

THE MARRIAGE – Trailer VOSTA from Loïc Magneron on Vimeo.

Ngjarja prekë kohën e luftës në Kosovë, atëherë kur dy të rinj, Bekimi dhe Noli jetojnë brenda një ndërtese, ku edhe fillojnë të ndjejnë shenjat e para të dashurisë për njëri-tjetrin. Shumë vite më pas, luftën më të madhe do ta kenë me barrierat e kësaj dashurie.

Anita, është vajzë e një familjeje të të zhdukurve gjatë luftës. Martesën e çiftit, me mjaft emocion e pret familja e Bekimit, por jo dhe ai vet. Madje rrjedha e ndjenjave të tij, vjen e komplikohet me kthimin e Nolit, i cili është muzikant. Ai në Prishtinë vjen pas disa vitesh jetë në Francë.

Ata të cilët dëshirojnë që të shohin filmin në kuadër të këtij festivali duhet që të blejnë biletat sepse është vetëm një shfaqje dhe numri i biletave është i kufizuar. Biletat mund të blihen në faqen e festivalit. / KultPlus.com

Të ngjajshme