20 Janar, 2020 - 12:47 pm
Të dielën mbrëma u mbajt ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “SAG”, të cilat i ndanë Shoqata e Aktorëve të Hollywoodit, dhe mbrëmja u karakterizua me momente të shumta befasuese.
Filmi nga Koreja Jugore, “Parasite”, u shpall “Filmi më i mirë i vitit” duke e mundur konkurrencën e fuqishme të filmave të tillë si: “The Irishman” dhe “Once Upon a Time in Hollywood”, të cilët edhe konsideroheshin favoritë për t’u shpërblyer në këtë kategori. Me ta pranuar çmimin në skenë, regjisori Bong Joon Ho, duke bërë shaka tha: “Si duket nuk e paskemi realizuar një film të keq”. Po ashtu, kjo është hera e parë në 26 vjetët e historisë së shpërblimeve “SAG”, që një film në gjuhë të huaj, e rrëmben shpërblimin kryesor të mbrëmjes.
Shpërblimet “SAG” konsiderohen indikatorë të rëndësishëm për fituesit potencial të çmimeve “Oscar”, kjo pasi pjesa më e madhe e anëtarëve të Akademisë së Arteve dhe Shkencës, përbëhet nga komuniteti i aktorëve të Hollywoodit, raporton Koha.net.
Sa i përket kategorive “Aktori dhe aktorja më e mirë në dramë”, sivjet u nderuan yjet, Joaquin Pheonix dhe Renee Zellweger. Pheonix, i cili u nderua për rolin e tij në filmin e famshëm “Joker”, ka triumfuar në të gjitha ceremonitë e këtij sezoni të shpërblimeve. Ndërsa, Zellweger po vazhdon të vlerësohet lart për performancën e saj në filmin biografik “Judy”.
Gjatë mbrëmjes, po ashtu, u nderua aktori Brad Pitt, i cili e fitoi edhe një çmim në kategorinë “Aktori më i mirë në rol dytësor”, për rolin e tij në filmin “Once Upon a Time in Hollywood”, derisa Laura Dern u shpall “Aktorja më e mirë në rol dytësor” për rolin e saj në dramën e Netflixit, “Marriage Story”.
Sa i përket kategorive që i nderojnë më të mirët në televizion, çmimi kryesor shkoi për dy seritë, “The Marvelous Mrs Maisel” dhe “The Crown”. Ylli i njohur hollywoodian, Jennifer Aniston, u nderua me një çmim “SAG” në kategorinë “Aktorja më e mirë në dramë”, për rolin e saj në serinë e platformës Apple TV+, ndërsa “Aktorja më e mirë në komedi”, u shpall ylli i serisë “Fleabag”, Phoebe Weller-Bridge.
Gjatë mbrëmjes, me çmimin special për arritje jetësore, u nderua aktori veteran Robert De Niro. Fituesi i dyfishtë i shpërblimit “Oscar”, u nderua për karrierën e tij 50-vjeçare në kinematografi, duke luajtur në filma të suksesshëm si: “The Deer Hunter”, “Raging Bull”, “The Godfather”, “Meet the Parents”, “Silver Linings Playbook” dhe të tjerë.
Sapo doli në skenë për ta pranuar çmimin e tij, teksa shoqërohej me ovacione, De Niro nuk duroi pa e kritikuar presidentin e shtetit, Donald Trump, edhe pse nuk ia përmendi emrin.
“Ekziston drejtësia dhe padrejtësia, dhe pastaj ekziston e kuptueshmja dhe abuzimi me fuqinë. Si qytetar i këtij shteti, unë kam të drejtë si çdo njeri tjetër, ta shpreh mendimin tim. Dhe, nëse unë kam zë më të fuqishëm, për shkak të situatës sime jetësore, atëherë do ta shfrytëzoj këtë zë sa herë që shoh njerëz që abuzojmë me pushtetin”, tha aktori derisa e pranoi çmimin.
De Niro i është bashkuar listës së personave të nderuar me çmimin “SAG” për arritje jetësore, si Alan Alda, Elizabeth Taylor, Morgan Freeman, Clint Eastwood dhe Debbie Reynolds. / KultPlus.com