20 Shtator, 2023 - 10:10 am
Dokumentari “Urdhra vrasjesh nga Beogradi” u shfaq në Autoritetin për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në prani të partnerëve, aktorëve të kujtesës dhe studiueseve që kanë në qendër të punës së tyre zbardhjen së shkuarës komuniste në vend.
Dokumentari u shfaq në kuadër të Edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, organizuar nga Akademia e Filmit dhe Multimedias “Marubi”.
Filmi përshkruan historinë e terrorizmit shtetëror jugosllav treguar për herë të parë nga këndvështrimi i viktimave. Shërbimi sekret komunist i Jugosllavisë vrau të paktën 78 mërgimtarë kroatë në mbarë botën. Viktimat më të reja ishin vetëm tre dhe nëntë vjeç. Shumica e vrasjeve janë kryer në Republikën Federale të Gjermanisë. Megjithatë, vetëm në vitin 2005 autoritetet gjyqësore të Mynihut filluan të hetojnë vazhdimisht këto vrasje dhe të ndëshkojnë autorët.
Paneli i diskutimeve u drejtua nga Prof. Theodore S. Orlin, President Nderi dhe aktivist i të drejtave të njeriut, Elsa Ballauri, Drejtore Ekzekutive e Grupit Shqiptar për të Drejtat e Njeriut si dhe Kujtim Çashku, Drejtor Ekzekutiv i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut në Shqipëri, të cilët vunë theksin tek nevoja e shoqërisë shqiptare për të nxitur më tej procesin e dekomunistizmit në vend dhe ndëshkimin e krimeve të së shkuarës.
Kryetarja e Autoriteti, Gentiana Sula u shpreh se “Shqipëria ka nevojë për t’u mbështetur në këtë proces, sepse ende jemi larg të bërit të drejtësisë për të shkuarën, por kjo nuk është krejt e pamundur“.
E pranishme në këtë aktivitet ishte dhe Suzana Gërvalla, e cila përcolli historinë e vrasjes së bashkëshortit të saj të ndjerë një natë me shi në Shtutgart të Gjermanisë, Jusuf Gërvallës, një shkrimtar, muzikant shqiptar dhe themelues i grupit Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovë në vitet ‘80, vrarë në të njëjtat rrethana si ato të përshkruara në këtë dokumentar nga ish- shërbimi sekret jugosllav.
Në fund të aktivitetit, Gërvalla u njoh me dokumentet që ish-Sigurimi i Shtetit ka grumbulluar për bashkëshortin e saj gjatë kohës që ai jetoi dhe punoi në Shqipëri, por edhe mbi aktivitetin e tij politik në Kosovë dhe Gjermani.Pandëshkueshmëria si në rastin e të bërit drejtësi për krimet e kryera në të shkuarën është një pengesë për demokratizimin e mëtejshëm të vendit ndaj nevoja për transparencë dhe vendosja e drejtësisë për viktimat e pafajshme të regjimit komunist mbeten ende sfidë dhe detyrë e shoqërisë. / atsh / KultPlus.com