6 Dhjetor, 2023 - 8:45 pm
“E donte shumë jetën. Deri në fund e deshti shumë!” Kështu do e kujtojë vajza e tij aktorin e njohur Mirush Kabashi.
Në një intervistë për Report Tv, Mendi Kabashi tregon përkushtimin e të atit për skenën e shenjtë dhe publikun
“Publikun e donte me gjithë zemër. I vlerësonte shumë njerëzit dhe iu dha 100% artit. Madje kishim dhe debate për këtë. Sidomos pas sëmundjes për 5 vite që e luftoi shumë fort, vijonte të dilte në skenë. Mirushi nuk ka dashur kurrë të bëhet bajat. Përzgjidhte skenat ku do të intepretonte me parimet e vlerat e tij. Një njeri që do na mungojë të gjithëve, na ka lënë pasuri të madhe”.
Si ishte Mirush Kabashi si baba?
“Mirushi nuk ishte i kafeneve as i lokaleve. Ishte me Lolën (bashkëshorten) përkrah duke bërë ecje. Qeshte me sy e fliste me zemër. “Mësonte dhe na mësonte. Ishte i hapur për biseda. Unë e kam pasur shumë shok e baba. Do më mungojnë pafundësisht bisedat e tij. Të dëgjonte. Njerëzit sot kanë harruar të dëgjojnë’ tha Mendi Kabashi.Sot u mbajtën homazhe për artistin Mirush Kabashi, i cili u shua dje në moshën 75-vjeçare/shqiptarja.com/KultPlus.com