Vanessa Redgrave merr “Luanin e artë”, bën apel për refugjatët

31 Gusht, 2018 - 9:03 am

Aktorja legjendare britanike Vanessa Redgrave bëri një apel pasionant në emër të refugjatëve, kur të mërkurën mbrëma mori “Luanin e artë” për arritje jetësore në ceremoninë e hapjes së edicionit të sivjetmë të Festivalit ndërkombëtar të filmit në Venecia, raportojnë mediat ndërkombëtare.

Aktorja 81-vjeçare, e cila konsiderohet si thesar kombëtar në shtetin e saj, bëri debutimin e saj si regjisore në vitin 2017 me dokumentarin “Sea Sorrow”, pjesë e të cilit janë edhe aktorët Ralph Fiennes dhe Emma Thompson. Ky dokumentar shqyrton krizat e tanishme globale të refugjatëve, derisa premierën e pati vitin e kaluar në Festivalin e Filmit në Cannes.

“Jo shumë njerëz i dinë faktet (përse njerëzit bëhen refugjatë)”, u ka thënë Redgrave gazetarëve gjatë një konference për media në Lido, ishullin e gjatë e të ngushtë i cili përballet me qytetin e Venecias ku mbahet festivali i njohur.

Redgrave në Venecia, siç raportojnë mediat ndërkombëtare, ka thënë se ajo e ka kuptuar se çka do të thotë të jesh refugjat qysh në moshën katërvjeçare, kur ajo bashke me vëllezërit e motrat ishin evokuar nga Londra gjatë Luftës së Dytë Botërore, derisa babai e xhaxhallarët ishin në marinë duke luftuar kundër nazistëve, shkruan Koha Ditore./ KultPlus.com

Të ngjajshme